RTSH 24 Live

Botë

Biseda Trump-Putin/ Fuqitë europiane: S'ka paqe të qëndrueshme në Ukrainë pa rolin tonë në bisedime

4 orë para

Biseda Trump-Putin/ Fuqitë europiane: S'ka paqe të qëndrueshme në Ukrainë pa rolin tonë në bisedime

Fuqitë evropiane, përfshirë Britaninë, Francën dhe Gjermaninë, kanë deklaruar se duhet të jenë pjesë e çdo negociate të ardhshme për fatin e Ukrainës , duke nënvizuar se vetëm një marrëveshje e drejtë me garancitë e sigurisë do të siguronte paqe të qëndrueshme.

“Objektivat tanë të përbashkët duhet të jenë të vendosim Ukrainën në një pozicion të fortë. Ukraina dhe Evropa duhet të jenë pjesë e çdo negociate”, thanë shtatë vende evropiane dhe Komisioni Evropian në një deklaratë të përbashkët pas një takimi të ministrave të jashtëm në Paris.

 “Ukraina duhet të ketë garanci të forta sigurie. Një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme në Ukrainë është një kusht i domosdoshëm për një siguri të fortë transatlantike”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se fuqitë evropiane mezi presin të diskutojnë rrugën përpara me aleatët e tyre amerikanë.

Takimi u zhvillua pasi Presidenti i SHBA Donald Trump tha se kishte folur me presidentin rus Vladimir Putin dhe se dyshja ishin gati të fillonin menjëherë negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë.

Zhvillimet e shpejta kanë shqetësuar Evropën, me Putinin dhe Trumpin që duket se po negociojnë të ardhmen e sigurisë së kontinentit mbi kokat e vetë liderëve evropianë. Sekretari amerikan i mbrojtjes Pete Hegseth do të takohet me dhjetëra ministra të NATO-s në Bruksel këtë të enjte (13 shkurt), pas takimit me një grup kontakti të ministrave të mbrojtjes të Ukrainës të mërkurën në Bruksel.

/rtsh.al/