RTSH 24 Live

Aktualitet

GJKKO e la në qeli, Kryebashkiaku Erion Veliaj transferohet te burgu i Durrësit

3 orë para

GJKKO e la në qeli, Kryebashkiaku Erion Veliaj transferohet te burgu i Durrësit

Kryebashkiaku Erion Veliaj u transferua mëngjesin e së enjtes (13 shkurt) në burgun e Durrësit, aty ku do të vijojë të qëndrojë deri në përfundim të procesit gjyqësor, fill pasi Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e vlerësoi të drejtë masën e sigurisë “arrest me burg”.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve transportoi Veliajn nga Blloku i Sigurisë në Tiranë drejt IEVP-së së Durrësit.

Pas një seance e cila zgjati më shumë se 7 orë dhe pas qëndrimit të gjyqtarit në dhomë këshillimi për më shumë se dy orë, kryetari i bashkisë së Tiranës u vendos të hetohet nën masë sigurie për akuzat e korrupsionit pasiv në 9 raste dhe të pastrimit të parave.

Kryebashkiaku pati debate në seancë me prokurorin Ols Dado.

Ti je në konflikt interesi, e ke personale me mua. Më je paraqitur dy herë për leje ndërtimi, ke marrë leje ndërtimi nga ana ime. Pasi ke mbetur i pakënaqur më ke thënë “do ta mbash mend”. Ke dy rrugë, ose të largohesh nga kjo çështje, ose të rreshtohesh me ndërtuesit e tjerë këtu”, ka thënë Veliaj.

“Tregohu i kujdesshëm me etikën. Të gjitha veshjet kishin kod unik dhe ishin veshje personale buzëkuq dhe bizhuteri. Sepse e ke shkruar në Facebook. Këtu nuk je në Facebook, por në Gjykatë, kështu që përmbaju provave e fakteve”, ka thënë prokurori Dado.

Gjykata ndryshoi masën e sigurisë nga ‘arrest shtëpie’ në ‘Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dy herë në muaj për bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, si dhe iu ndalua të dalë jashtë Shqipërisë.

Në ‘arrest në burg’ do të vijojë të hetohet biznesmeni Elman Abule ndërkohë për biznesmenët Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu, Shkëlqim Fusha masa u la 'detyrim me paraqitje', por ndryshe nga vendimi i parë nuk do të paraqiten një herë në javë para agjentëve të BKH-së por 2 herë në muaj.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/