RTSH 24 Live

Politikë

Kodi Zgjedhor, Gjiknuri: Votimi me ID të huaj, absurd. Bylykbashi: Doni të reduktoni numrin e votuesve

4 orë para

Kodi Zgjedhor, Gjiknuri: Votimi me ID të huaj, absurd. Bylykbashi: Doni të reduktoni numrin e votuesve

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor u prezantuan sot (13 shkurt) në Kuvend, teksa PS dhe PD kanë rënë dakord për disa ndryshime që do të lehtësonin votën e diasporës. Deputeti socialist, Damian Gjiknuri tha se palët kanë gjetur dakordësinë që shpenzimet për dërgimin dhe kthimin e fletës së votimit tek votuesit do të paguhen nga buxheti i shtetit. Po ashtu, Gjiknuri tha që numërimi dhe vlerësimi i votave nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të kryhet në KQZ nëpërmjet një komisioni me anëtarë të propozuar nga PD dhe PS. Afati i skadencës për mjete identifikimit është shtyrë, por vetëm për votuesit jashtë vendit, ndërsa propozimin e opozitës që të mund të votojnë edhe me mjete identifikimi të huaja, Gjinuri e konsideroi si “absurd”.

Premisat nga u nisëm për të adresuar këto ndryshime kanë të bëjnë me lehtësirat administrative që ka kërkuar KQZ për më shumë kohë në mënyrë që zarfi të shkojë dhe të vijë tek qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë në kohë. Ndaj kemi kërkuar dhe kemi rëndë dakord ta shtyjmë apo ta afrojmë afatin e paraqitjes së listave. Adresojmë edhe një shqetësim tjetër, që kostot e postës, sidomos kosto e shpejtë dhe e sigurt, të përballohet nga buxheti i shtetit dhe kjo është një lehtësi. Në Kodin Zgjedhor dolën edhe probleme që kanë të bëjnë me zbatimin e të drejtës së votës. Gjetëm dakordësi që të të kompozojmë komision të natyrës politike për administrimin e votës së diasporës nëpërmjet  ZAZ-ve përkatëse dhe vendeve të numërimit të votave që do të jenë në Tiranë, gjë që e bën votën transparente.

Ndryshimet të cilat diktuan këto drafte që sot do t’i miratojmë, nxorën në pah një defekt tjetër që kanë të bëjnë me barazinë e garës. Një ka të bëjë me kohën në dispozicion për reklamat politike për kandidatët e partive politike. 140 mln reklamë të jenë në dispozicion të kandidatëve të listave parapëlqyese. Kjo solli një nevojë tjetër që ka të bëjë me financimin. Kemi vënë në tavan, 3 mln lekë që kandidati ka të drejtë t’i deklarojë me shpenzimet e tij që nuk llogaritet te shpenzimet e partisë. Tavani i shpenzime të partisë politike mendohet të rritet. Tavani nga 3-fishi i fondit më të madh që përfiton partia më e madhe, të shkojë në 5-fish që do të jetë një shifër mbase rreth 6 mln euro maksimumi për shpenzime elektorale. Afati i kartave të ID, të gjithë zgjedhësit që janë regjistruar me dokumente të skaduara, sot kanë të drejtë të votojnë. Një problem që është ngritur, për mendimin tim me pa të drejtë nga opozita, që të pranohen edhe dokumentet e shteteve të tjera që duket absurde. Një njeri që ka humbur çdo lidhje me territorin ndër vite dhe nuk ka asnjë interes për këtë vend, vota e tij për mendimin tim nuk është ajo që duhet të përcaktojë fatet e këtij vendi. Në këto kushte, zgjidhja e duhur do ishte tja përcjellim Komisionit Rregullator për të gjetur një zgjidhje interpretuese nëse ata do ta gjykojnë të ligjshme”, tha Gjiknuri.

Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi akuzoi PS-në se ka si qëllim që të reduktojnë numrin e votuesve. Sipas tij, zgjatja e afatit të dokumenteve të skadaura të identifikimit u bë me vonesë “qëllimisht” dhe po ashtu “me qëllimin që të shkurajohen votuesit” u vonua edhe pika që shpenzimet për votën nga jashtë të mbulohen nga buxheti i shtetit.

“Ishte një përpjekje e gjatë për të bërë efektive të drejtën e votës për diasporën. Nëse do kishit qenë më të gatshme nuk do kishte pritur kryeministri deri tani që të zgjaste afatin për dokumentet e skaduara. Është bërë 2021 dhe 2023 përpara në kohë, por e ka bërë në gjysmë të procesit të regjistrimit. E keni bërë qëllimisht që ata të mos regjistrohen dhe kjo të mos jetë plotësisht e efektshme. Akti normativ për shtyrjen e dokumenteve të ID dhe pasaportave përveçse i vonuar, është edhe i paplotë dhe diskriminues, e keni parashikuar vetëm për ata që votojnë nga jashtë, po shqiptarët në vend po këta pse nuk e kanë këtë mundësi? Buxheti i shtetit do të paguajë votën e diasporës, duhej vonuar kjo pikë që sa më shumë të shkurajoheshin votuesit, jo se duhej ndryshim ligji.

Të gjithë votuesit jashtë vendit do e kenë votën pa pagesë. Kemi bërë të mundur që të votohet me të njëjtat standarde. Votat numërohen me baraspeshim politik, dhe është rënë dakord që kjo të vendoset në ligj. Partitë do kenë më pakë kohë për regjistrimin në mënyrë që të ketë më shumë kohë që të dërgohen zarfet e votave për emigrantët. KLGJ të bëjë efektive që ankimi i atyre që votojnë nga jashtë të jetë online, i shpjet dhe efektive. Nuk mund të vijë ai nga Kanadaja në Tiranë për të bërë ankimin. Kandidatët e listave parapëlqyese dhe të kenë kohën e tyre televizive, çdo kandidat do ketë kohën e vetë për të bërë fushatë me zë dhe figurë në media. Janë 4mln e 700 mijë shqiptarë  të regjistruar, vetëm 1 mln janë nën 18 vjeç, pra 79% janë shtetas me të drejtë vote. Janë mbi 1 mln e 800 mijë zgjedhës jashtë Shqipërisë dhe 600 mijë shtetas nga këta i kishin dokumenat e skaduara, por vetëm atyre jashtë i është zgjatur, atyre që janë në Shqipëri jo. Ne bëhemi më kufizues se ç’duhet vetëm me një qëllim, të reduktojmë numrin e atyre që marrin pjesë në votim. Por në këtë shifër 1 mln e 800 mijë kemi deri në 200 mijë shtetas që nuk kanë asnjë dokument biometrik. Ju thoni që meqë ata nuk kanë aplikuar për pasaportë, i ka humbu interesi për Shqipërinë. Ku është parë kjo?!”, u shpreh Bylykbashi.

/rtsh.al/