Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në shkollën “Gjergj Kastrioti” në fshatin Baz, Mat, ku një nxënës është plagosur me thikë në mesditë.
Sipas informacionit paraprak, adoleshenti është goditur nga një tjetër nxënës i po asaj shkolle, gjatë një konflikti për motive të dobëta në orën e fizkulturës.
Policia ka njoftuar se ka arrestuar 18-vjeçarin D.L. që dyshohet se ka goditur me mjet prerës një 17-vjeçar, i cili u dërgua menjëherë në spital për ndihmë mjekësore.
Po ashtu, është sekuestruar mjeti prerës që dyshohet se është përdorur gjatë konfliktit. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon hetimet për të zbardhur rrethanat dhe dinamikën e ngjarjes.
/rtsh.al/