RTSH 24 Live

Aktualitet

Jepet pretenca për Jorgo Goron, Prokuroria kërkoi 3 vite burgim dhe konfiskim pronash

3 orë para

Jepet pretenca për Jorgo Goron, Prokuroria kërkoi 3 vite burgim dhe konfiskim pronash

Struktura e Posaçme Antikorrupsion dha pretencën për ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro, duke kërkuar tri vite burg dhe konfiskim të pronave të tij.

Në këtë seancë, ish-kryebashkiaku nuk ishte i pranishëm, ndërsa organi i akuzës për zyrtarin Jerasimo Basho kërkoi 3 vjet burgim, si dhe 2 vjet burgim për juristin Vezir Gjikoka. 

SPA-u kërkoi po ashtu në pretencë edhe konfiskimin e sipërfaqeve të tokave të sekuestruara, si dhe apartamentin e sekuestruar të Jorgo Goros.

Një tjetër kërkesë ishte edhe konfiskimi i 10 mijë metrave katrorë tokë për t'i kaluar për investime strategjike në plazhin e Gjipesë.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka mbyllur hetimet për Jorgo Goron më 7 shkurt dhe e ka dërguar dosjen në gjykatë. Ish-kryebashkiaku Goro dhe dy vartësit e tij akuzohen për “shpërdorim detyre”.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/