Policia e Gjirokastrës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Wanted 1”, për kapjen e një shtetasi në kërkim. 32-vjeçari i ndaluar, akuzohej si bashkëpunëtor në një rast të dhënies ndihmë emigrantëve nga ‘Vendet e Treta’, për kalim të paligjshëm të kufirit.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin Operacional, të DVP Gjirokastër, dhe me Komisariatin e Policisë Tepelenë, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Wanted 1”. Gjatë këtij operacioni, u kap në fshatin Luzat, Tepelenë, dhe u vu në pranga shtetasi K. Q., 32 vjeç, banues në fshatin Luzat.”, njofton policia.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, me vendimin e datës 19.02.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale ”Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, sepse më datë 10.03.2022, në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë (të arrestuar në datat 05.05.2022 dhe 20.02.2024), transportonte me furgon, kundrejt pagesës, 16 emigrantë nga Vendet e Treta, që synonin të kalonin ilegalisht kufirin.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/