Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ka deklaruar se ndaj tij janë zhvilluar jo vetëm hetime joserioze, por edhe të paragjykuara.
Si shembull për këtë ai ka sjellë faktin se në faqen e parë të dosjes së prokurorisë së SPAK-ut është shkruar se është "i dënuar", ndërkohë që ai tha se nuk rezulton i tillë në bazë të ndonjë vërtetimi gjyqësor.
“Nuk mund të rri pa folur edhe për një skandal të rëndë që zbulova dje në sallën e gjyqit, e shkruajtur e zezë mbi të bardhë, që në faqen e parë të paçavures së hartuar me zell të madh nga prokurori Ols Dado. U informova se në të gjitha gjirizet mediatike të PD-së na ishte publikuar se në dosjen time prokurori kishte shkruajtur: “Erion Veliaj është “i dënuar”, me shënimin “sipas Çertifikatës Elektronike të gjendjes gjyqësore Nr. 5488 Prot., datë 23.01.2025 të gjeneruar nga hetuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimeve, e cila gjendet në fashikullin 63”.” Kur e mësova, ky detaj më tronditi edhe mua personalisht, ashtu siç mund të ketë tronditur jo pak njerëz të tjerë sepse dëshmia ime e penalitetit është e pastër. Dje në sallën e gjyqit, vetëm pasi unë deklarova që jam i padënuar dhe, si kryetar i Bashkisë së Tiranës, i zgjedhur me votë 3 herë radhazi nga qytetarët e mi, kam plotësuar formularin e dekriminalizimit, prokurori Ols Dado u detyrua ta verifikonte këtë me një telefonatë, (pasi siç duket, në mendjen e tij tashmë rezultoj një person i dënuar), dhe u përpoq ta kalonte këtë skandal, duke thënë se është thjesht një ‘lapsus’, që e paskan bërë shkruesit e dosjes time.”, shkruan Veliaj.
Sipas kryebashkiakut, që në faqen e parë të akuzës ndaj tij është bërë gabimisht “një lapsus frojdian kaq i rëndë nga prokurori hartues i dosjes”.
“Po si mundet të bëhet një lapsus në një dosje hetimore? Si mund të luhet me jetë njerëzish duke e kaluar me fjalët “ishte lapsus”? Ky ‘lapsus’, vetëm lapsus nuk është! Është një hije e madhe dyshimi mbi të gjithë atë që është gatuar kundër meje dhe bashkëshortes sime. Tani është i qartë serioziteti me të cilin janë zhvilluar hetimet kundër familjes dhe personit tim: më e pakta, në dosjen time ka gabime trashanike, si kjo e faqes së parë, e të cilat do t’i publikoj një e nga një për publikun dhe qytetarët e Tiranës; por, rezervoj edhe dyshimet e mia mbi dëshirën e nxituar të prokurorit Ols Dado për të më shpallur fajtor ende pa nisur procesi i gjykimit.”, mbyll postimin Veliaj, duke e shoqëruar edhe me një faksimile nga faqja e parë e dosjes.
/rtsh.al/