RTSH 24 Live

Politikë

Takimi i ministrave të NATO-s, Vengu: Shqipëria do të shtojë burimet financiare për mbrojtjen

3 orë para

Takimi i ministrave të NATO-s, Vengu: Shqipëria do të shtojë burimet financiare për mbrojtjen

Në takimin e Ministrave të Mbrojtjes së vendeve të NATO-s, kryefjalë ka qenë rritja e domosdoshme e kontributeve dhe kapaciteteve të vendeve aleate, në dritën e negociatave për një paqe të qëndrueshme mes Rusisë dhe Ukrainës. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.

Sipas tij, nën impulsin e ri amerikan, pritshmëritë janë të larta për një përpjekje më të madhe të vendeve evropiane në forcimin e kapaciteteve luftarake dhe marrjen e përgjegjësive të reja për mbrojtjen e kontinentit.

Shpreha gatishmërinë e Shqipërisë që shtimin e burimeve financiare për mbrojtjen ta përkthejmë në:

  • më shumë kapacitete operacionale,
  • ringjallje të industrisë ushtarake,
  • infrastrukturë në mbështetje të modernizimit të forcave tona dhe në funksion të Aleancës.”, shkruan Vengu.

Sipas ministrit të Mbrojtjes, në këtë kontekst, një industri ushtarake reaguese është kyçe për të prodhuar armatimin, municionet dhe pajisjet e nevojshme.

“Gjithashtu, theksova nevojën për vigjilencë të shtuar të Aleancës në Evropën Juglindore, veçanërisht në raport me Kosovën, si dhe në zonën Adriatiko-Joniane, ku planet aleate meritojnë të përditësohen me veprime të reja strategjike përballë sfidave të shumta hibride me të cilat po përballemi.”, mbyll postimin ministri Vengu.

/rtsh.al/