Forcat të shumta të policisë rrethuan Mynihun ditën e enjte (13 shkurt) pasi një makinë aksidentoi të paktën 27 persona në qytetin jugor të Gjermanisë.
Policia lokale njoftoi se dy persona janë në gjendje më të rëndë si pasojë e përplasjes nga automjeti.
Makina e vogël "Mini" drejtuar nga një azilkërkues 24-vjeçar nga Afganistani mësohet se iu afrua policëve në patrullim përpara se të rriste shpejtësinë dhe të godiste këmbësorët. Të dëmtuarit ishin në një demonstratë me rreth 1 mijë persona të tjerë të thirrur nga sindikata e punëtorëve.
Guvernatori i Bavarisë, Markus Söder (lex. Zëder), tha se sulmi i orës 10:30 afër stacionit qendror të trenit mund të ketë qenë i qëllimshëm.
Kryeqendra e Bavarisë do të shtojë sigurinë në terren në ditët në vijim, pasi të premten, vetëm 1,5 km nga vendi ku ndodhi sot aksidenti, do të mbahet Konferenca e Mynihut për Sigurinë. Në konferencë pritet të marrin pjesë zv.presidenti amerikan JD Vance dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.
Emigracioni dhe siguria kanë qenë tema dite në Gjermani kohët e fundit, teksa vendi po përgatitet të shkojë në zgjedhjet e reja federale javën e ardhshme.
/rtsh.al/