Migracioni, ekonomia, politikat fiskale, klima, reformat sociale dhe politika e jashtme ishin temat kryesore të diskutuara në debatin televiziv mes dy politikanëve, kancelarit aktual socialdemokrat, Olaf Scholz (lex. Sholc) dhe kristian-demokratit Friedrich Merz (lex. Fridrish Merc).
Duke iu referuar gjendjes së ekonomisë, Merz tërhoqi vëmendjen se Gjermania ka hyrë në vitin e tretë të recesionit.
Ai akuzoi Scholz se ka një perceptim të gabuar sa i përket emergjencës për zgjidhjen e problemeve. Por Scholz theksoi se Gjermania ka një bazë të mirë për fuqizimin e ekonomisë dhe se ai nuk është ai përgjegjës për arsyet e dobësimit ekonomik, që ka të bëjë me luftën në Ukrainë.
Duke u ndalur tek emigracioni, Merz tha se dëbimet në kufijtë e Gjermanisë për emigrantët e paligjshëm janë të mundshme. Edhe vende të tjera europiane nuk i pranojnë njerëzit në kufi.
"E përse tek ne nuk mund të funksionojë kjo?" pyeti kandidati për kancelar i CDU-së, Merz.
Scholz u shpreh për një "kurs të ashpër dhe restriktiv" në politikën e azilit.
Lidhur me politikën e jashtme dhe qëndrimin që duhet mbajtur me presidentin amerikan Donald Trump, Scholz tha se duhen fjalë të qarta dhe bisedime miqësore, ndërsa Merz u shpreh për një përgjigje më të fortë dhe për "të negociuar si të barabartë".
Pranimi i Ukrainës në NATO ishte një tjetër pikë diskutimi, ku Scholz tha se SHBA e refuzon këtë, por e rëndësishme është të garantohet që Ukraina të mos sulmohet sërish. Edhe Merz tha, se aktualisht Ukraina nuk mund të hyjë në NATO.
"Lufta duhet të marrë fund sa më shpejt," theksoi Merz.
Në mbyllje të debatit, secili nga rivalët kishte të drejtën të shprehej me fjalinë përmbyllëse, që për Merz ishte deklarimi: "Jam besimplotë që mund të drejtoj një qeveri të mirë dhe të suksesshme në Gjermani."
Ndërkohë, Scholz deklaroi: "Një qeveri, e cila kujdeset që Gjermania të avancojë dhe të jetë e qëndrueshme, mund të jetë vetëm me socialdemokratët."
/rtsh.al/