RTSH 24 Live

Politikë

Dogjani: Policia mbron krimin. Hoxha: Politizoni dramat familjare për kriza artificiale

5 orë para

Dogjani: Policia mbron krimin. Hoxha: Politizoni dramat familjare për kriza artificiale

Gjatë një interpelance për sigurinë, deputeti demokrat Asllan Dogjani ka akuzuar qeverinë dhe Ministrinë e Brendshme për dështim në garantimin e rendit ligjor dhe në uljen e rasteve vrasjeve të zbardhura.

Duke përmendur rastin tragjik të një 17-vjeçareje në Gjirokastër, e cila u vetëvra, Dogjani ia drejtoi qeverisë gishtin e akuzës për ndodhi të tilla, pasi politikat e saj nuk po mbrojnë qytetarët, por përdoren për përfitime personale. Dogjani u bëri thirrje prokurorëve dhe gjyqtarëve që të mbështesin ligjin dhe të mos lejojnë presionin politik.

“Një 17-vjeçare në Gjirokastër u vetëvra, sepse bullizohej nga shokët e shoqet e klasës. 17-vjeçaren e vrau Edi Rama se e la të varfër, sepse e la të pamundur të vishte një fustan, e vrau shteti se nuk kishte mundësi të vishej si shoqet e veta. Jeni të pashpirt. Mendoni se çfarë dhimbje kanë prindërit e kësaj 17-vjeçareje sepse psikologët e shkollës nuk bënë asgjë për të parandaluar këtë ngjarje të rëndë. Nuk bëtë gjë as për 14-vjeçarin Martin Canin, duke lënë prindërit në dhimbje të madhe. Rama e ka kthyer Ministrinë e Brendshme në një vegël për pushtetin e tij. Si mund të mbani përgjegjësi, kur keni kryeministër që jeton si monark. Drejtësia nuk duhet të bie pre e presionit politik të Edi Ramës. E pamë dje se si kërcënonte KLGJ e KLP. Tregoni se jeni të pavarur dhe vijoni punën tuaj. I bëj ftesë atyre prokurorëve dhe gjatorëve të ndershëm dhe u them se PD do të mbështesë çdonjërin prej tyre që nuk ndikohet nga politika dhe kanë si busull ligjin. Grupet kriminale kanë bashkëpunuar me Ramën në fushatë për të fituar pushtetin, krimi vjedh pasuritë e vendit dhe drejtojnë pushtetin. Kemi qeveri që nuk mbron qytetarët, por bosët e krimit”, tha Dogjani.

Në përgjigje, Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, kundërshtoi akuzat e Dogjanit dhe kritikoi politizimin e rasteve të dhunës dhe vrasjeve, duke i cilësuar si tentativë për të krijuar kriza artificiale dhe për të frikësuar publikun. Ai shtoi se krahasuar me periudhën kur opozita ka qeverisur, ka një rënie të ndjeshme të numrit të vrasjeve, duke arritur një nivel historik të ulët në dy vitet e fundit.

“Të bësh politikë me vrasje dhe drama familjare është ku nuk ke çfarë të thuash dhe sa i përket vërtetësive dhe argumenteve qoftë me rastin e Gjirokastrës se nuk është dramë varfëri, or dramë familjare. Gjithsesi është politike dhe dëshpëruese që përmendi këtu drama familjare. Ngrohet pretendimi se sot ka më shumë vrasje dhe më pak siguri dhe më pas zbulueshmëri të veprave penale nga policia. Jemi duke folur për jetë njerëzit dhe nuk mund të bëjmë politikë me të por nuk mund të baltoset puna e Policisë së Shtetit. Ka rënie të numrit të vrasjeve duke shënuar një rënie historike në vitet e fundit. Ju po e trajtoni publikun si spektrorë që kërkoni t’i frikësoni me rastet e fatkeqësive të kronikës së zezë duke krijuar kriza politike artificiale. Kur qeverisnit ju vritej një qytetar në çdo 2-3 ditë”, tha Hoxha.

/rtsh.al/