RTSH 24 Live

Botë

Peticioni satirik danez për të blerë Kaliforninë mbledh me qindra mijëra firma

6 orë para

Peticioni satirik danez për të blerë Kaliforninë mbledh me qindra mijëra firma

Një peticion satirik që gjoja synon të grumbullojë një trilion dollarë për të lejuar Danimarkën të blejë Kaliforninë, ka marrë më shumë se 200,000 nënshkrime.

“A keni parë ndonjëherë një hartë dhe keni menduar, 'E dini se çfarë i duhet Danimarkës? Më shumë diell, palma dhe patina.' Epo, ne kemi një mundësi një herë në jetë për ta bërë realitet atë ëndërr. Le ta blejmë Kaliforninë nga Donald Trump! Po, e dëgjuat mirë. Kalifornia mund të jetë e jona dhe ne kemi nevojë për ndihmën tuaj për ta realizuar atë”, thuhet në peticionin satirik.

Përmes ironisë në peticion thuhet se nëse Danimarka blen Kaliforninë do të përfitonte “përmirësimin e motit, furnizimin e sigurt me avokado dhe dominimin e teknologjisë”. Madje në peticion shtohet se “Danimarka do të jetë në gjendje të “mbrojë botën e lirë” dhe ta riemërojë Disneyland-in “Hans Christian Andersenland”, duke iu referuar shkrimtarit të njohur danez të përrallave për fëmijë.

Ky peticion satirik vjen si reagim i deklaratave të presidentit të SHBA, Donald Trump se dëshiron të blejë dhe kontrollojë Groenlandën, një territor gjysmë autonom danez. Trump e ka përshkruar kontrollin e SHBA-së mbi Groenlandën si një "domosdoshmëri absolute".

Zyrtarët si në Groenlandë ashtu edhe në Danimarkë kanë dalë fuqishëm kundër Trump për të marrë kontrollin e ishullit.

/rtsh.al/