RTSH 24 Live

Ekonomi

Komisioni i Ekonomisë kërkon shpjegime nga KQZ për Ligjin e Tatimeve

3 orë para

Komisioni i Ekonomisë kërkon shpjegime nga KQZ për Ligjin e Tatimeve

Deputetë socialistë në Komisionin e Ekonomisë ngritën shqetësimin për ndalimin e procedimit me Ligjin për Tatimet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Së pari, deputeti Erjon Braçe dhe më pas edhe kryetari i Komisionit, Eduard Shalsi, u deklaruan për cilësinë dhe procedurën e miratimit të ligjit, vendimi për pengimin e të cilit në kohë parazgjedhore ishte befasi dhe i paparalajmëruar nga KQZ-ja.

"Kam kërkuar të di mbi ç'bazë Komisioneri ka marrë një vendim. Më thanë që është lehtësisht e gjendshme dhe pres sot, maksimumi nesër, të marrim vesh se si është proceduar në një moment kur Komisioni ka marrë vendimin, sipas disave, surprizë të miratimit, ndërkohë që nga ana tjetër ka pasur një vendimmarrje të KQZ-së," tha z. Shalsi.

"Nisma ka një emër, mbiemër, dhe normalisht Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, kur ka bërë mbledhje për këtë gjë duhet të kishte thirrur një iniciator. Minimalisht të marrin të lexojnë nismën dhe të kuptojnë çfarë është nisma dhe mbi të gjitha të kuptojnë çfarë efekti ka ajo. Do të doja shumë që parlamenti të vazhdonte përpara dhe përgjegjësinë e gjobës e marr unë. Jam shumë kurioz të di se kush është ankuar. Gjashtë vjet me radhë e kam kuptuar se kush e pengon këtë gjë. Deri këtu kanë arritur ata që pengojnë, deri të KQZ-ja," u shpreh z. Braçe.

Në të njëjtin Komision, kryetari Shalsi i kërkoi zëvendësministrit të Turizmit e Mjedisit të plotësojë dokumentacionin për projektligjin e "Përgjegjësive të zgjeruara të subjekteve prodhuese të produkteve që gjenerojnë mbetje" duke paraqitur gjithë praktikën e konsultimit me grupet e interesit.

Gazetare: Entela Komnino

/rtsh.al/