Shkodra rezulton të jetë kthyer në një qytet të preferuar për turistët në tri vitet e fundit, duke ia kaluar dukshëm për të ardhura nga qiraja, Korçës dhe Beratit.
Të dhënat zyrtare nga "Airbnb" për dhënien e shtëpive me qira ditore për turistët janë një tjetër konfirmim për rritjen e shpejtë të këtij tregu në Shkodër, duke mbërritur në mbi 3 milionë euro për vitin 2024.
Një gjë e tillë konfirmohet si nga Drejtoria e Turizmit në Bashkinë Shkodër, edhe nga agjentët imobiliarë, të cilët operojnë prej vitesh në këtë fushë.
"Vëmë re që rezervimet kanë filluar për pjesën e sezonit, por tashmë Shkodra e ka zgjatur sezonin. Nuk është më si tradicionalisht në verë, por ka turizëm gjithëvjetor," tregon Renato Lumçi, drejtor i Turizmit në Bashkinë Shkodër.
"Vitin e kaluar ka pasur shtim shumë të madh të shtëpive me qira ditore, gati tre-katërfishim," shton agjenti imobiliar Kevin Berohiti.
Disa prej investimeve që po realizohen në infrastrukturën rrugore pritet të kenë ndikim të konsiderueshëm në zhvillimin e mëtejshëm të turizmit në bashkinë e Shkodrës, duke nxitur jo vetëm rritjen e numrit të turistëve, por edhe gjallërimin në sektorët e shërbimeve.
Gazetar: Mirsad Rakaj
/rtsh.al/