RTSH 24 Live

Ekonomi

Rriten kërkesat për kredi, ekspertët: Ndikoi ulja e normës së interesit

4 orë para

Rriten kërkesat për kredi, ekspertët: Ndikoi ulja e normës së interesit

Bizneset në vendin tonë në tremujorin e katërt të vitit 2024 rritën kërkesat për kredi, ndërsa bankat, shkallën e miratimit të tyre.

Kjo rritje, sipas ekspertëve të ekonomisë, ka ardhur si pasojë e uljes së normave të interesit nga Banka e Shqipërisë, por edhe nga institucionet homologe, si Banka Qendrore Evropiane.

"Konkretisht është rritur masa e kredisë që kanë dhënë institucionet e kreditit. Është rreth 280,7 miliardë lekë kredi e re e dhënë nga këto institucione për bizneset dhe individët. Gjithashtu me leverdi ka qenë kredia që marrin individët për blerje banesash, sepse është ulur norma e kësaj kredie në 3,66%," thotë Prof. As. Dr. Antoneta Polo.

Ndërkaq shkalla e miratimit të kreditimit u raportua në rritje edhe për individët në këtë periudhë.

"Marrja e një kredie lehtëson qoftë bizneset, qoftë individët në përdorimin e likuiditeve. Pra, unë sot marr një kredi si biznes dhe hap një biznes të caktuar ose përforcoj biznesin ekzistues pa u shtrënguar dhe pa u vënë në vështirësi financiare për të përdorur ato lekë që unë kam për një nevojë tjetër," thekson pedagogia Polo.

Sipas ekspertëve pritet që edhe në tremujorin e parë të vitit 2025, kërkesat për kredi, si nga ana e bizneseve për të investuar, ashtu edhe nga individët për financimin e konsumit edhe për blerjen e banesave të jenë të larta.

Gazetare: Boralda Gjyli

/rtsh.al/