Mosha e automjeteve që qarkullojnë në qarkun e Korçës po ulet.
Flota e tyre po përmirësohet me mjete më të reja, që vijnë kryesisht nga shtete jashtë Europës.
Përgjegjësi i regjistrimit në Drejtorinë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor për Korçën, Erald Hoxhallari, thotë se disa shtete po zgjidhen më shumë për blerjen e mjeteve sesa vendet europiane për arsye ekonomike.
"Shumicën e mjeteve që vijnë me vit prodhimi më të lartë e zënë Kanadaja, Amerika dhe Koreja. Mjetet që vijnë nga Evropa vijnë me një vit prodhimi më të ulët se këto mjete dhe kushti i tyre është Euro IV, kusht që duhet për të vazhduar pjesën e regjistrimit," thotë z. Hoxhallari.
Ndërkohë sa i takon kalimit të pronësisë të mjetit, shërbimi i ofruar në DRSHTRR kryhet në një kohë më të shkurtër.
"Në momentin që bëhet përpilimi i kontratës mjeti kalon automatikisht në pronësi të shtetasit blerës dhe duhet të kenë parasysh qytetarët se ka vite që ka filluar aplikimi i gjobës për tejkalim afati. Nuk duhet kaluar afati 30-ditor i përpilimit të kontratës," shpjegon përgjegjësi në DRSHTRR-në e Korçës.
Vitet e fundit vihet re një tendencë e zgjedhjes së mjeteve me moshë më të re, që janë edhe më miqësore me mjedisin jo vetëm sa i takon ndotjes së ajrit, por edhe akustikës.
Gazetare: Geralda Manushi
/rtsh.al/