Kryeministri Edi Rama ka shprehur befasinë për faktin se kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, e ka mësuar përmes televizionit lajmin për përfshirjen e saj në akt-akuzën thuajse 400-faqëshe që lidhet me kryebashkiakun Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij Ajola Xoxa.
Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, Rama deklaroi se është e papranueshme që Bushka nuk është thirrur e dëgjuar nga prokurorët.
“Të gjithë jemi befasuar që kryetarja e komisionit të ligjeve figuron në akt akuzë 400 faqesh për kryetarin e bashkisë dhe bashkëshorten e tij, ndërkohë që kryetarja e komisionit, e ka marrë vesh përfshirjen e saj në këtë akt akuzë një person i dyshuar, nga televizori.
As nuk është thirrur, as pyetur, as dëgjuar, versioni i saj. Për mua është e pakonceptueshme që Kryetarja e Komisionit të Ligjeve pa hyrë në meritën e çështjes, pa diskutuar fare se a ka a s’ka të drejtë akuza që e përfshin në atë roman thuajse 400 faqe, e merr vesh nga TV.
E merr vesh duke dëgjuar gazetarët”, deklaroi Rama.
Kreu i Partisë Socialiste garantoi më tej mbështetjen pa rezerva kundrejt drejtësisë, por shtoi se mungon një palë konstruktive që duhet të jetë edhe garante e pavarësisë së gjyqësorit, edhe garante e lirive, të drejtave e standardeve demokratike. Ai theksoi se Partia Socialiste nuk do të heshtë përballë shkeljeve.
“Dua të bëj të qartë që qëndrimi ynë lidhur me mbështetjen pa rezerva të çdo procesi të drejtësisë, të institucioneve të reja të drejtësisë, të cilat kanë detyrën të bëjnë luftë pa kompromis ndaj korrupsionit, mbetet një qëndrim i pandryshuar. Ajo që ndryshon është që ne kemi detyrën të kontribuojmë jo thjesht me mbështetjen institucionale dhe politike ndaj institucioneve të reja të drejtësisë, por edhe me opinionet tona në mënyrë që pavarësia e panegociueshme e prokurorëve dhe gjykatësve të jetë sa më e lidhur me profesionalizmin dhe garantimin e standarteve demokratike të çdo procesi.
Në të kundërt, ne biem në një situatë që ngjan më shumë me të shkuarën se me të ardhmen, sepse diktaturë apo Republikë hetuesish Shqipëria ka pasur në të shkuarën. Kjo është republikë parlamentare dhe legjislativi e ekzekutivi janë të pavarura nga drejtësia.
Në të shkuarën kështu veprohej në letër, por kishte një ombrellë që ishte diktatura e proletaratit që funksiononte përmes diktaturës së hetuesve.
Këtu kemi një problem dhe duhet të marrim një përgjegjësi sepse sot në debatin publik ka dy palë: njëra që duartroket sa herë shfaqet “gijotina” sipas asaj pale të gjithë janë për burg, litar e për t’u vrarë; tjetra është pala që sulmon në mënyrë banditeske organet e reja të drejtësisë dhe shënjestron me libër shtëpie prokurorët e gjykatësit që bëjnë punën e tyre duke filluar nga drejtuesi i SPAK i cili ka mbështetjen tonë sa i përket gjithë baltës që ka marrë e mer familjarisht.
Por mungon një palë konstruktive që duhet të jetë edhe garantë e pavarësisë së gjyqësorit por duhet të jetë njëkohësisht edhe garante e lirive, të drejtave, standardeve demokratike”, shtoi ai.
Prokuroria e Posaçme ka marrë nën hetim deputeten e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka, si e përfshirë në hetimet që po zhvillohen kundrejt kryebashkiakut Erion Veliaj, pasi akuzohet për konsumimin e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Rama: Dumani të hetojë dy gjykatësit e PD, informojnë Berishën
Ndërsa lexoi mesazhin që i dërgoi qytetari digjital, Rama deklaroi se kreu i SPAK, Altin Dumani, duhet të hetojë dy gjykatës, të cilët i japin dosjet kreut demokrat Sali Berisha.
Rama i kërkoi kryeprokurorit special të hetojë se si ra dosja “Toyota Yaris” në duart e Berishës, që ai e lexon në Parlament kundër qeverisë, duke kryer një vepër penale me nxjerrjen e sekreteve hetimore.
Sipas kreut të qeverisë, i njëjti gjyqtar që kërkoi arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj ka patur dosjen paraparake të Toyota Yaris, për të cilën ka kërkuar ndalim publikimi të saj, për shkak se, siç thekson qytetari digjital, përfshiheshin deputetë demokratë.
“Mesazh që më erdhi mbrëmë nga qytetari digjital.
“Ju dëgjova me vëmendje në këtë diskutim. Jam dashamirës, ku një I quajtur X,Y merr urdhra nga një Y,X, por ka dhe diçka që s’e thatë. Bëtë pyetjen pse tani, e jo më parë?
Sepse tani ishte i gatshëm i njëjti gjyqtar i angazhuar në çështjet e veçanta me target njerëzit tuaj.
Gjyqtarët si prokurorët krahas shorteve elektronike, organizohen edhe në javë e ditë gatishmërie për kërkesa të ngutshme dhe ngjarje që kanë nevojë të organizohet në mënyrë të menjëhershme.
“Nesti ishte aty që në shkurtin e kaluar”.
Qartazi është selektuar gjyqtari në këtë rast, dhe ju informoj se gjyqtarë të tjerë nuk kanë pranuar që t’i rrinë të njëjtës kërkesë për arrest.
Ky gjyqtar e ka nisur karrierën si koleg zyre me ….. e keni në parlament këtë emrin. Ky dhe një tjetër I njohur familjarisht si ekstremist I djathtë kanë trajtuar më shumë kërkesat për eksponentë të PS. Në disa raste në vendimet e tyre kanë kaluar cakun për kërkesat paraprake duke bërë konsideratat që ligji nuk ua lejon dhe ashpërsi masash.
I tillë është dhe rasti X që diskutohet si skandal në rrethet e juristëve.
I njëjti gjyqtar është gjyqtari paraprak për dosjen Toyota Yaris. Vetëm një fakt, ka urdhëruar ndalim publikim të dosjes së tij, për shkak se aty përmenden shumë kolegë të tyre. Por ama, ditën 1 vendimin e pati në dorë prapë njëri që ekni në parlament dhe tani e ka bufi i kënetës, që ua lexon shqiptarëve komunikime nga EncroChat në parlament. Të gjitha janë pjesë e përmbajtjes së këtij vendimi gjyqësor, i ndaluar për t’u përhapur e publikuar. Kjo është vepër penale.
Pra, bëhet fjalë për dy kamikazë të PD-së në GJKKO që se kanë problem ta shprehin në mjedisin tonë kënaqësinë të marrit në dorë, të këtij apo atij, duke thënë se “ne do t’i shkrijmë”.
Altin Dumani të kërkoj gjurmët e vendimit të Toyota Yaris dhe t’i thotë publikut si kanë përfunduar në monologët e bufit të kënetës. Meqë qenka vendim I ndaluar për publikim dhe dihet kush e ka marrë”, deklaroi Rama.
/rtsh.al/