RTSH 24 Live

Politikë

Rama: Ne do mbështesim SPAK e GJKKO, por do e ndajmë me publikun kur dikush shpërdoron detyrën

3 orë para

Rama: Ne do mbështesim SPAK e GJKKO, por do e ndajmë me publikun kur dikush shpërdoron detyrën

Kryeministri Edi Rama përsëriti edhe njëherë thirrjen kundrejt SPAK dhe GJKKO që të tregojë pavarësinë e tyre dhe të mos lejojë që prokurorë të caktuar të abuzojnë me detyrën duke shkelur parimet e hetimit dhe një gjykimi të drejtë.

Rama u shpreh se nëse SPAK dhe GJKKO dështojnë të jenë të pavarura, në këndvështrimin e Kryeministrit, do të shënonte dështim jo vetëm të PS-së dhe qeverisë, por të gjithë Shqipërisë.

Ai garantoi se, nuk do lejojë mungesën e standarteve dhe abuzimeve individuale me pavarësinë, duke iu referuar këtu dy gjyqtarëve sipas tij të PD-së.

Nëse SPAKU dhe GJKKO dështojnë të jenë të pavarur, duke garantuar njëkohësisht standartet demokratike, ky nuk do të ishte thjesht dështimi ynë, i Partisë Socialiste dhe i imi personalisht, që i kemi hyrë këtij deti në këmbë me gatishmërinë që të marrim edhe të gjitha kostot morale e politike, bashkë me baltën e kënetës politiko-mediatike. Ky do të ishte dështimi i madh i Shqipërisë, i cili do t’u jepte “të drejtë” të gjithë atyre që qysh prej 1912 e deri kur ne, Partia Socialiste, nisëm Reformën në Drejtësi, që nuk i hynë asnjëherë këtij deti në këmbë dhe nuk i dhanë kurrë pavarësi drejtësisë.

Këto institucione të reja janë gurë themeli për një kthesë shumë të fortë historike dhe tanimë që pavarësia e tyre është 100% e provuar - vetëm idiotët noterikë të Shvejkut dhe ligësirat me dy këmbë të kënetës opozitare mund të thonë akoma që i kontrollojmë ne - është detyra jonë të mos lejojmë që mungesa e standarteve dhe abuzimet individuale me pavarësinë, t’i marrin si lumi këta gurë themeltarë, duke e abortuar misionin historik të luftës kundër korrupsionit.

Po ashtu, është detyra jonë, që t’i çojmë në esfelt më 11 maj ata që duan të shkrijnë SPAK-un dhe të hedhin në lumë foshnjën bashkë me ujin e pistë. Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim pa asnjë lëkundje SPAKUN dhe GJKKO, por do të përdorim dritën e diellit për të ndarë edhe me publikun të gjitha problematikat shqetësuese apo çdo rast kur dikush shpërdoron detyrën dhe besimin e popullit, duke na kthyer në kohët e Sigurimit të Shtetit.”, shkruan Rama në rrjetin social X.

Mesazhet kundrejt Prokurorisë së Posaçme se ka treguar se ka forcë të hetojë e ekspozojë korrupsionin, kryeministri nuk i ka kursyer, por sipas tij, ka raste të veçanta kur rreziku që në emër të antikorrupsionit të goditet demokracia, shteti, ekonomia, nuk duhen neglizhuar kurrë.

“Dhe ne nuk do ta neglizhojmë. Kaq di unë. Të tjerat i di këneta politiko-mediatike dhe ju duhet vetëm të zgjidhni, o me drejtësinë dhe demokracinë o me kënetën dhe pa drejtësinë”, tha ai.

Në një reagim të dytë, kryeministri Edi Rama tha se PS nuk do të hyjë në luftë politike me SPAK dhe GJKKO, por se do të vijojë të jap kritika konstruktive për arritjet e standardeve që duhet të ketë drejtësia.

Rama thekson se PS nuk do të bëhet “avokate e askujt” dhe se do të jetë në mbështetje të SPAK për drejtësi të pavarur. Megjithatë Rama shton se 5 vjet nga krijimi, SPAK nuk ka asnjë urgjencë për të dhënë drejtësi për 21 janarin.

Kanalet kërkuaka debate PS - PD për rastin e Erionit, pra nuk paskan kuptuar akoma se ne kemi kaluar nga pesë vjet heshtje në një fazë të re, kur do t’i japim vetes të drejtën të bëjmë komentet tona konstruktive për standartet dhe shkeljet në procese, por nuk kemi ndryshuar thelbin e qëndrimit tonë se PS nuk është zyrë avokatie e askujt që është proces, përfshirë edhe Erjonin. E para, fakti që burgosja pa gjyq e kryetarit të bashkisë, për një problematikë që s’ka asnjë lidhje me kushtet kur jepet kjo masë, duke ndërprerë arbitrarisht kontratën e tij me zgjedhësit, kur gjykimi mund të vazhdonte në gjendje të lirë, ka të bëjë me standartet jo me fajësinë a pafajësinë e Erjonit, të cilën duhet ta ndajë drejtësia jo debatuesit e PS.

E dyta, nuk ka asnjë shans që ne të bëhemi pjesë sharjeshpifjeve nokturne për çështje të drejtësisë, kur kanalet bëhen si gjykatat e pazareve të mesjetës, ku gjuhet me gurë nga të katër anët dhe ku kuakuakuatë e kënetës politiko-mediatike arrijnë klimaksin e tyre. Dhe e fundit, askush nuk ka për të na tërhequr dot në debate politike për SPAKUN e për GJKKO, sepse mes nesh dhe kënetës është kufiri mes dy botëve; asaj të drejtësisë së re europiane që duam ne, me pavarësi të plotë nga pushteti politik e me standarte demokratike, dhe asaj të drejtësisë së vjetër vulgare që do bufi me kënetën e tij, me kontroll të plotë politik e me pazare si ato që e bënë këtë vend për 100 vjet mbretërinë e padrejtësisë.

Këtë lloj debati do ta bëjmë në popull, në rrugën drejt 11 majit, në mbështetje të plotë të SPAK e GJKKO kundër korrupsionit dhe patjetër, pa heshtur për shqetësimet që krijohen nga gabimet apo fajet në raport me standartet ose fjala vjen nga fakti që befas, bëhet me urgjencë prerja e kokës së Tiranës kur kemi hyrë në zgjedhje, ndërsa pesë vjet nga krijimi i tij SPAKU s’ka asnjë urgjencë për të dhënë drejtësi për 21 janarin!  Ja kështu dhe përveç spektaklit të sharjeshpifjeve e të teorive idiote të konspiracionit në ato kanale, shërbejini pak edhe të vërtetës, duke kërkuar ku janë provat, a mjaftojnë a s’mjaftojnë, a janë a s’janë kushtet për burg pa gjyq e me radhë, por jo me partitë politike e aq më pak me kënetën opozitare”, përfundon Rama.

/rtsh.al/