Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) kanë dënuar deklaratat e fundit politike dhe kritikat drejtuar pjesëtarëve të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe SPAK.
KLGJ-ja theksoi të mërkurën (12 shkurt) se trysnia me deklaratat që ndikojnë në dinjitetin e gjyqtarëve e cenojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe kërcënojnë sundimin e ligjit.
“Këshilli i Lartë Gjyqësor ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit në lidhje me deklaratat e bëra nga persona të veshur me pushtet, ekzekutiv apo politik si edhe media të caktuara, të cilat prekin figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve pranë gjykatave të posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar. KLGJ mban qëndrimin se çdo përpjekje për të cenuar pavarësinë e gjyqësorit, nëpërmjet trysnisë apo presionit të çfarëdo lloji, përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit”, thuhet në reagimin e KLGJ.
Në reagimin e vet, KLGJ-ja kërkoi që të respektohet pavarësia e gjyqësorit dhe gjyqtarët të jenë të lirë të marrin vendime pa ndikime të jashtme.
“Këshilli në përmbushje të angazhimeve të tij ligjore, ju bën thirrje të gjithë aktorëve që të shmangin trysninë në formën e deklaratave, citimeve apo aludimeve që cenojnë gjyqtarët për shkak të ushtrimit të funksionit. Në një shtet të së drejtës, pavarësia e gjyqësorit është një ndër shtyllat themelore për garantimin e drejtësisë dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve. Gjyqtarët duhet të jenë të lirë nga çdo lloj forme që ndërhyn në vendimmarrje, në mënyrë që të ushtrojnë detyrën në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Këshilli thekson se në një shtet që është duke përmbushur kriteret e anëtarësimit në BE, mënyra e vetme e kundërshtimit të një vendimmarrjeje gjyqësore duhet të jetë përmes ushtrimit të mjeteve ligjore, duke u ankuar në një gjykatë më të lartë”, thuhet në reagimin e KLGJ.
Edhe KLP kërkoi nga politika që të respektojnë pavarësinë dhe integritetin e prokurorëve, në mënyrë që ata të ushtrojnë funksionet e tyre pa ndikime të jashtme.
“Në vijim të qëndrimeve të mëparshme për garantimin e pavarësisë së prokurorëve, Këshilli i Lartë i Prokurorisë rithekson mbështetjen ndaj institucionit të prokurorisë për ushtruar funksionet e tij në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe në përputhje me ligjin. Ruajtja e këtyre parimeve është thelbësore për funksionimin e drejtësisë dhe forcimin e shtetit të së drejtës. Këshilli kërkon nga të gjithë aktorët që të respektojnë pavarësinë dhe integritetin profesional të prokurorëve, duke siguruar që ata të ushtrojnë funksionet e tyre pa ndikime të jashtme në funksion të dhënies së drejtësisë. Pavarësia e prokurorisë është një gur themeli për besimin e qytetarëve tek institucionet e drejtësisë dhe për garantimin e një sistemi ligjor të drejtë e transparent”, thuhet në reagimin e KLP.
Gjatë ditës së sotme, kryeministri Edi Rama, teksa lexonte mesazhin e një qytetari, kërkoi nga kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, që të hetojë dy gjykatës me dyshimin se kanë furnizuar me sekrete hetimore kreun demokrat Sali Berisha.
Në përgjigje të kësaj deklarate edhe kryedemokrati Sali Berisha akuzoi për një koordinim mes ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, dhe gjyqtares së GJKKO-së, Irena Gjoka, e cila po shqyrton çështjen e privatizimit të ish-kompleksit "Partizani", ku vetë z. Berisha është i pandehur.
Në kuadër të këtyre deklaratave, Këshilli i Lartë Gjyqësor apeloi se vetmja mënyrë kundërshtimi ndaj një vendimi gjyqësor është ajo e ankimimit.
/rtsh.al/