Ish-ministri i mbrojtjes Fatmir Mediu i cili akuzohet për shpërdorim detyre për tragjedinë e Gërdecit është paraqitur sërish në Gjykatën e Posaçme.
Në një deklaratë për medie, Mediu bëri me dije se akuzohet për rritjen e kalibrave të municioneve, ndërsa pretendon se sipas ekspertëve, nuk ka asnjë akt ligjor ku përcaktohet madhësia e kalibrave.
Mediu sqaroi se urdhrat e firmosur nga ai gjatë kohës që mbante “timonin” e Ministrisë së Mbrojtjes, vinin nga shefi i shtabit të përgjithshëm, ndërsa shton se një prej këtyre urdhrave ka qenë dhe demontimi i municioneve të tepërta që përbënin rrezik për shoqërinë shqiptare.
Mediu bën me dije gjithashtu se u ka paraqitur ekspertëve akte dhe dokumente të nënshkruara në vitin 2005 kur ende nuk ishte emëruar në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, për demontimin e municioineve të vogla me kalibër 100-120 milimetra.
“Unë mendoj që gjyqet popullore të partisë së punës do e kishin zili seancën e sotme. Kjo është absurde deri qesharake. Këta pretendojnë se ministri ka rritur kalibrat e municioneve në një kohë që ekspertët e thonë qartë që nuk ka asnjë akt ligjor ku përcaktohet se kush janë kalibra të mëdhenj apo kalibrat e vegjël.
Dhe kur prokurori u pyet nga unë se kush është kalibër i madh dhe i vogël, tha: unë nuk e di sepse jam jurist.
Dhe unë jam ministër civil sipas ligjit dhe Kushtetutës. Dhe urdhrat që kam firmosur kanë ardhur nga shefi i shtabit të përgjithshëm, nga strukturat më të specializuara që merren me çështje armatim municioni.
Por për më tepër se kaq i referohen një libri rus të vitit 19 56 apo librave të universitetit ushtarak Skënderbej të ’85. Unë nuk kam studiuar për ushtri. Jam emëruar në 2005 si ministër I mbrojtjes së FA për të realizuar detyrimet e standartet e NATO-s.
Dhe një nga detyrimet ka qenë demontimi i municioneve të tepërta që përbënin rrezik për shoqërinë shqiptare. Dhe obligimet që ishin përcaktuar nga NATO dhe BE.
Akoma më keq se kaq, kur iu paraqita ekspertëve dhe prokurorëve dokumente dhe akte të nënshkruara nga Ministri i Mbrojtjes, shefi i shtabit të përgjithshëm të 2005-ës kur unë nuk isha ende ministër i mbrojtjes, kur marrëveshja me SHBA, Britaninë dhe Irlandën për demontimin e municioneve të vogla janë përcaktuar në këto urdhra municione 100-120 milimetra, kjo hedh poshtë absurditetin e qëndrimit të tyre.”, deklaroi Mediu.
Ky i fundit ka sqaruar ndër të tjera edhe një tjetër akuzë ndaj tij që lidhet me pagesën për transportin e municioneve.
Ai sqaroi se kjo gjë zbatohej nga Forcat e Armatosura dhe në raste të veçanta edhe nga donatorë.
Mediu theksoi se Ministri i Mbrojtjes ka detyrë garantimin e buxhetit të mbrojtjes; demontimin e municioneve të tepërta; dëgjimin e vlerësimit të ushtarakëve.
“Sepse besoj, FA shqiptare kanë ditur ç’kanë bërë, por për më tepër aleatët tanë kur e kanë firmosur këtë marrëveshje e kanë sjellë sjellë në përputhshmëri me ligjet shqiptare dhe i kanë zbatuar ato, nuk kanë pasur ndonjë interes tjetër përveçse zbatimin e ligjit dhe për të ndihmuar Shqipërinë.
Ministri duhet të përcaktonte me urdhrin e tij se kush e paguante transportin, sepse kështu ka shkruar një urdhër një ministër më parë. Ministri dhe strukturat përcaktohen në zbatim të detyrave që jepen sipas hierarkisë e akteve ligjore.
Vetë ekspertët kanë pranuar se transporti i municioneve jo vetëm është bërë nga FA por dhe paguhej nga FA përveç rasteve kur e kanë marrë përsipër donator.
Gjithë qëndrimi i tyre është duhet ti paguajë apo jo MEKO?
Kjo gjë nuk pranohet nga prokurorët se thonë duhet ti paguajë kompania, por kjo çështje nuk i takon ministrit.
Ministri ka detyrë garantimin e buxhetit të mbrojtjes; që të demontojë municionet e tepërta nxjerrë me vendimin e 2002-shit; të dëgjojë vlerësimin e ushtarakëve”, theksoi ai, ndërsa solli në vëmendje dhe bisedën e zhvilluar me komandatin suprem të NATO, i cili ka dekjlaruar se në asnjë vend demokratik apo vend anëtar të aleancës nuk ndodh që ministri të merret me kalibrat e municioneve.
Mediu e konsideroi procesin gjyqësor ndaj tij, si agjitacion propagandë.
“Ky është kthyer në proces agjitacion propagande njësoj si në kohën e komunizmit.
Mjerë republika e prokurorëve. Nuk mund të ketë republikë të prokurorëve.
Nuk është drejtësia prokuroria. Vendosja e prokurorisë mbi gjyqësorin, një nga veprimet më fatale të drejtësisë shqiptare dhe do ketë pasojë politike e sociale në shoqërinë shqiptare”, përfundoi ai.
Mediu akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues. Nga shpërthimi i Gërdecit humbën jetën 26 persona dhe shumë të tjerë u plagosën.
/rtsh.al/