RTSH 24 Live

Politikë

Asetet e sekuestruara nga krimi, Hoxha: Janë “karburanti” i paligjshmërisë

3 orë para

Asetet e sekuestruara nga krimi, Hoxha: Janë “karburanti” i paligjshmërisë

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, theksoi rëndësinë e miradministrimit të pasurive të konfiskuara dhe luftën ndaj krimit të organizuar.

Gjatë fjalës së tij në konferencën “E ardhmja e aseteve të sekuestruara nga krimi”, ministri Hoxha tha se marrja e pronave nga krimi është një fazë përmbyllëse e një procesi hetimor të gjatë që i mundëson shtetit të godasë krimin në pikën e tij më nevralgjike: asetet dhe pasuritë.

Ai shpjegoi se kalimi i këtyre pasurive në duar të mekanizmave shtetëror është një hap i rëndësishëm në procesin e çlirimit të pasurive nga krimi dhe kalimin e tyre në shërbim të publikut.

“Çështja e miradministrimit të pasurive të konfiskuara nga krimi, marrja e pronave nga krimi është faza përmbyllëse e një procesi hetimor të gjatë dhe strapacues. E gjithë kjo përpjeke për të goditur krimin në pikën më nevralgjike që janë asetet dhe pasuritë, kalimi me vendim gjykate në duart e mekanizmave shtetëror shënon momentin kur një e mirë materiale shkëputet përfundimisht nga duart e krimit dhe i kalon shërbimeve publike. Nuk mjafton vetëm fakti që kapëm një autor krimi apo që ai u dënua nga gjykata, ky proces është sukses kur të gjithë pasuritë e tyre kalojnë në administrimin e agjencisë së këtyre pasurive. Finalja është shfrytëzimi nga shteti apo dhënies së pronave për përdorim privat apo shitjes në ankand sipas ligjit. Kur një prone nga krimi shkëputet nga gjeneruesi i saj atëherë mund të themi se kemi arritur të fitojmë betejën kryesore kundër krimit të organizuar. Pronat janë karburanti me të cilët furnizohen aktivitetet kriminale dhe mban gjallë krimin”, tha ministri.

Ministri vuri në dukje se pasuritë janë "karburanti" që furnizon aktivitetet kriminale dhe se vetëm kur këto pasuri shkëputen nga krimi, mund të thuhet se është arritur një fitore në luftën kundër organizatave kriminale.  

Ai gjithashtu vlerësoi punën e  prokurorive dhe institucioneve përgjegjëse për sekuestrimin dhe konfiskimin e pronave, duke shtuar se të ardhurat nga miradministrimi i këtyre pasurive janë dyfishuar.

“Dua të theksoj punën shumë të mirë të prokurorive lidhur me sekuestrimin dhe më pas konfiskimin e  pronave të krimit. Institucionet përgjegjëse kanë qenë bashkëpunuese dhe duhet të vijojnë edhe më fort punën në këtë skemë të luftës kundër paligjshmërisë. Janë dyfishuar të ardhurat nga miradministrimi i aseteve të sekuestruara. Puna jonë nuk është thjeshtë të frenojmë krimin, por të dekurajojmë rrjetet kriminale që mendojnë se mund të përfitojnë në mënyrë të paligjshme dhe të shijojnë frytet e një veprimtarie të tillë. Ne kemi vullnet të fortë të institucioneve për të luftuar krimin e organizuar dhe rritur besimin e qytetarëve”, u shpreh Hoxha.

Agjencia e Administrimit të Aseteve do të ketë një strukturë të re, që do të krijohet me standarde europiane, me qëllim përmirësimin e administratës dhe shfrytëzimin më të mirë të këtyre aseteve për shërbimin e qytetarëve.

“Agjencia e Administrimit të aseteve ka marrë në menaxhim shumë ndërtesa dhe ambiente të konfiskuara nga krimi dhe që kalojnë në shërbim të publikut. Edhe vetë kjo agjenci punon në zyrat e konfiskuara nga krimi. Struktura e re që do i japim kësaj agjencie për ta reformuar me standarde europiane dhe ta kthejmë në një organizëm që administron pronat dhe ia kthen publikut”, përfundoi ministri.

/rtsh.al/