RTSH 24 Live

Politikë

Meta nga qelia: Pas deklaratave të Ramës më bënë kontroll fizik. Faktet për incineratorin ulërasin

4 orë para

Meta nga qelia: Pas deklaratave të Ramës më bënë kontroll fizik. Faktet për incineratorin ulërasin

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar nga burgu me anë të një audiomesazhi mbi deklaratat e bëra nga Kryeministri Edi Rama në lidhje me akt akuzat ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, bashkëshortes së këtij të fundit Ajola Xoxa, e deputetes socialiste nën hetim Klotilda Bushka.

Meta bën me dije se gjatë kohës që kreu i qeverisë po mbante fjalën gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, atij i është bërë kontroll në qeli dhe fizik.

Ndërkaq, Meta nuk kurseu akuzat ndaj Ramës, kreut të SPAK, Altin Dumani e kryebashkiakut Erion Veliaj (i arrestuar), duke kërkuar nga opozita publikimin e shkresës së firmosur më 2017, ku sipas tij (duke cituar ish-zv.kryeministrin në arrati Arben Ahmetaj) vërtetohet rrëmbimi i kompetencave të këshillit bashkiak të Tiranës me porosi të Ramës për incineratorin që nuk ekziston.

Meta ironizon “drejtësinë e re”, duke kërkuar ndër të tjera edhe nxjerrjen e shkresës që mban firmën e Kryeministrit Tama, që sikurse pretendon Presidenti i PL-së, ka shpallur kompaninë fituese të inceneratorit me 8 pikë pa u krijuar ligjërisht

“I bëj thirrje çdo opozitari, që kur del në emisione, që kur del në Parlament, të marrë shkresën e vitit 2017 që ka firmosur, sipas ish – Zv/Kryeministër Ahmetaj, Erion Veliaj duke vjedhur dhe rrëmbyer kompetencat e Këshillit Bashkiak të Tiranës me porosi të Edi Ramës për inceneratorin që nuk ekziston dhe që paguajnë të gjithë qytetarët e Tiranës tani 90 mijë euro çdo ditë.

Këto shkresa t’ja tregojë Dumanit dhe të gjithë atyre që flasin për “Drejtësinë e Re”.

Të marrin dhe shkresën e Edi Ramës, që ka shpallur kompaninë fituese të inceneratorit me 8 pikë pa u krijuar ligjërisht dhe të tregojë standardet e vërteta të drejtësisë së Edi Ramës.

Njëkohësisht të marrë edhe procesin gjyqësor kundër McGonigalit, ku del Edi Rama të paktën 14 herë për korrupsion dhe t’ja u tregojë të gjithëve standardet e lobimit të Edi Ramës edhe të Dumanit, që i mban aty në sirtar”, shprehet Meta.

Duke vijuar sulmet politike ndaj Ramës, Meta shprehet se Kryeministri ka arritur deri në korruptimin e ndërkombëtarëve, ndërsa garanton se më 11 maj, shqiptarët do bëjnë kthesën e madhe politike.

Nuk ka asnjë mënyrë dhe asnjë formë frikësimi ndaj Ilir Metës dhe të gjithë shqiptarëve të cilët do t’i tregojnë vendin këtij skizofreni që sot premtoi se do vjedhë zgjedhjet dhe mbasi të vjedhë zgjedhjet do të vendosi standarde europiane.

Ndërkohë të gjithë i dinë standardet e tij, të gjithë e dinë korrupsionin e tij.

Se si i korrupton ky ndërkombëtarët e di e gjithë bota, tani është rradha e shqiptarëve për t’i thënë këtij, i cili thotë se drejtësia funksionon vetëm kur punon dhe rrëmben kundërshtarët e mi politik, por kur më kërcënon mua me “tigrin’’ Erion Veliaj, sigurisht që këtu nuk ka më drejtësi, ka diktaturë.

Prandaj, të gjithë të mobilizohen, mos i ndani ato shkresa, ato fakte që ulërasin prej vitesh e vitesh dhe vetëm Dumani i këtij nuk i shikon, se nuk ka Duman që i bën më derman këtij”, deklaron Meta.

/rtsh.al/