RTSH 24 Live

Sociale

Situata nga gripi, ulet numri i pacientëve në spitalin “Shefqet Ndroqi”

3 orë para

Situata nga gripi, ulet numri i pacientëve në spitalin “Shefqet Ndroqi”

Vala e gripit në vend ka shënuar një rënie të lehtë të numrit të pacientëve në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”.

Mjeku pneumolog, Arben Tanka thotë se në urgjencë ekzaminohen rreth 45 raste në ditë, ndërsa komplikacioni kryesor që jep gripi, tek pacientët me sëmundje bashkëshoqëruese është pneumonia.

“Vihet re një tendence e lehtë ulëse e rasteve që paraqiten në Urgjencë dhe të hospitalizimeve. Ne aktualisht kemi një mesatare prej 10 deri 12 shtrime në ditë që bëhen nga urgjencat, ndërsa në ditë paraqiten 40 deri në 45 raste. Komplikacioni kryesor që vjen tek Urgjenca dhe që diagnostifikohet në spitalin tonë është pneumonia, tek pacientë mbi moshën 60-vjeçare me sëmundje bashkëshoqëruese“, u shpreh mjeku Arben Tanka.

Sipas mjekut Tanka, nëse vijohet më këtë kurbë në rënie, trendi do të jetë i njëjtë me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Po vjen një farë rënie e numrit të këtyre rasteve. Nëse vijojmë me këtë trend pritet që në ditët në vazhdim, duke u afruar dhe fundi i muajit shkrurt numri i rasteve të vi në rënie. Kryesisht është një kurbë klasike edhe me vitet e kaluara”, shtoi mjeku.

Grafiku bërë publik nga ISHP nga hetimi epidemiologjik dhe konsultat me mjekët e familjes, bërë nga të gjitha qendrat shëndetësore në vend tregoi një ulje të rasteve në javën e pestë.

Grupvirozat që qarkullojnë në vend prej disa javësh siç janë nëntipi i virusit A ai H3N2 si dhe gripi i tipit B janë manifestuar me temperaturë të lartë.

Gazetare: E. Hasanbelli 

/rtsh.al/