Një 14-vjeçar është shtruar me urgjencë në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës, pasi dyshohej se ishte prekur nga meningjiti akut.
Nxënësi i shkollës 9-vjeçare "Kushtrimi i Lirisë" në Durrës ishte paraqitur në pediatrinë e spitalit Durrës, por diagnoza e saktë është bërë pasi ai u dërgua në Tiranë.
"U dërguan prindërve një mesazh në WhatsApp dhe kur erdha në shkollë më thanë për rastin me meningjit. Të shqetësuar jemi. Mamaja e një nxënëseje të klasës na tha që fëmijët nuk i sollën në shkollë dhe fëmijëve duhet t'u japin korra ose gjilpëra," u shpreh një prind.
Nxënësit e shkollës së mbyllur po e zhvillojnë mësimin pasdite në mjediset e shkollës "Eftali Koçi". Prindërit e tyre shprehen të shqetësuar për situatën.
Drejtoresha e shkollës "Kushtrimi i Lirisë" thotë se u njoftuan nga mjekët epidemiologë për prezencën e meningjitit bakterial tek nxënësi. Këshillat e epidemiologëve kanë qenë që ata të cilët kanë pasur kontakt me pacientin, të marrin antibiotikë.
"Më është dhënë porosi që grupi i kontaktit të nxënësve të klasës dhe mësuesi që ka dhënë mësim të marrin një antibiotik, të cilin ua rekomandova," tha Merita Bekteshi, drejtoresha e shkollës "Kushtrimi i Lirisë".
Për ngjarjen në fjalë janë njoftuar edhe autoritetet e tjera vendore, në mënyrë që të bëhet dezinfekimi i shkollës apo të merren masa të tjera parandaluese.
Ndërsa bëhet me dije se gjendja e 14-vjeçarit të shtruar në Tiranë është e qëndrueshme.
Kujtojmë se në 15 dhjetor 2024, një tjetër rast miningjiti akut në Durrës i mori jetën një 17-vjeçareje.
/rtsh.al/