Praktika e bamirësisë do të thotë dhënie vullnetare e ndihmës ndaj njerëzve në nevojë, një akt humanitar, që sipas besimeve fetare duhet të bëhet në mënyrë të fshehtë.
Publikimi i bamirësisë nga personazhet publike në botë është parë si një shembull për të frymëzuar e motivuar edhe njerëzit e tjerë, që të japin kontributin e tyre në këtë drejtim.
Kjo temë u diskutua të hënën (10 qershor) në emisionin "Miqtë e pasdites" me Beniada Nishanin.
Me termin bamirësi abuzohet shpeshherë, tha aktivistja Belioza Çoku.
"Bamirësia sot lidhet zakonisht me atë që ka më shumë para dhe mundësi për ta bërë, të cilët po ashtu shpenzojnë shumë për të marrë vëmendje. Në këndvështrimin tim, në familjet tona ideja e bamirësisë nuk ishte e lidhur me një portofol të fryrë, por me dëshirën e mirë që të jesh human dhe t'i zgjasësh dorën tjetrin. Në thelb, bamirësia është transformuar si definicion me kalimin e kohës dhe brezave. Sot shohim më shumë ekzibicionizëm, protagonizëm dhe nevojë për t'u duartrokitur bamirësi, siç është edhe shprehja te 'Lulëkuqe mbi mure', 'duartrokisni bamirësin!'.
Unë bamirësinë e kam projektuar në mundësitë për të ndihmuar një fëmijë, një familje, për të ndryshuar një jetë dhe mirëqenie emocionale, progres pozitiv. Pozicionin tim nuk e tarifoj me para, por e ofroj falas," tha znj. Çoku.
Aktivistja shpjegoi edhe rastet kur bamirësia vihet në funksion të veprimtarive të paligjshme.
"Kur dikush ka një nevojë primare për t'u futur në një botë të ligjshme pasi ka akumuluar në një botë të paligjshme, kuptohet që ato sekuestrohen dhe i hyn një kalvari ligjor. Kjo ka ndodhur, por duken raste më të rralla," deklaroi znj. Çoku.
Zëvendësmyftiu i Tiranës, Erjol Haxhiu, kërkoi të bëhet dallimi midis bamirësisë dhe lëmoshës, siç e përcakton besimi mysliman.
"Në konceptin islam, bamirësia është shumë herë më e gjerë sesa lëmosha. Brenda konceptit të bamirësisë futet çdolloj veprimi që lehtëson vështirësitë e tjetrit, si lëmosha, fjala e mirë, ndihma për të hequr një vështirësi, mbështetja shpirtërore dhe morale. Sot bamirësia ekziston midis shqiptarëve, sepse jemi njerëz që i gjendemi pranë njëri-tjetrit. Ndërkohë ajo që ka të bëjë me aspektin ekonomik, lëmosha, pjesa individuale është mirë të jetë e fshehtë. Një pjesë tjetër e bamirësisë për të stimuluar të tjerët është mirë të tregohen. Në islam vakëfet janë prona që shërbejnë për njerëzit në nevojë, si shtëpia e jetimëve 'Zyber Hallulli', një besimtar mysliman, i cili e ndërtoi atë me forcat e veta," tha zv.myftiu Haxhiu.
/rtsh.al/