Fenomeni i diskriminimit ende vijon të jetë prezent në shoqërinë shqiptare, megjithatë në këndvështrimin e sociologëve ai është zbutur, duke bërë që tashmë problematikat të kategorizohen.
Kështu sa i takon diskriminimit gjinor, ai nuk është më ekzistent si sikur, duke parë edhe arritjen e gruas në karrierë në ditët e sotme.
"Jemi në një tranzicion qoftë vlerash, normash, morali, parimesh. Kur një shoqëri është në tranzicion gjithçka ndryshon në pikëpamje. Sot nuk do të thosha se kemi një diskriminim madhor. Kemi një integrim gjinor shumë të mirë, që ka filluar nga aspekti politik, profesional dhe familjar. Sot gruaja në familje nuk ka një rol dytësor, por është pjesë e vendimmarrjes. Tani problematikat kategorizohen në bazë të statusit ekonomik, profesionit, arsimimit," shpjegon sociologia Maria Dojçe.
Sa i takon diskriminimit me bazë fetare, racore apo etnike, sociologia thotë se fatmirësisht nuk ekziston në shoqërinë tonë.
"Kemi një harmoni fetare të admirueshme, një model për vendet e rajonit. Diskriminim etnik apo racor nuk ka pasur asnjëherë Shqipëria," thotë znj. Dojçe.
Për të frenuar këtë fenomen, në qytetin e Korçës prej 7 vitesh ekziston zyra e Komisionierit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ku shumë raste diskriminimi të referuara kanë marrë zgjidhje.
Gazetare: Geralda Manushi
/rtsh.al/