Marrja e ilaçeve pa konsultim me mjekun konstatohet shpesh here në Shkodër. Një nga medikamentet më të shpeshta është paracetamoli. Përgjithësisht është një qetësues i sigurt, merret në farmaci pa recetë mjeku, por konsumimi i tepërt i tij mund të jetë e rrezikshme.
Mjeku farmacist, Fatbardh Plangaj shpjegon se çfarë dëmesh sjell në organizëm?
“Paracetamol është sot bari më i përdorur në botë. Paracetamoli është një bar dhe përdorimi i gabuar tij mund të shkaktojë dëme. Përdorim i gabuar konsiderohet përdorimi i zgjatur pa u konsultuar me mjekun ose marrja e dozave të mëdha të menjëhershme. Në raste të tilla, paracetamoli mund të shkaktojë dëmtim të mëlçisë. Dëmi është më i madh kur krahas paracetamolit në dozë të madhe, pacienti ka të trashëguar një mëlçi delikate, ose merr njëkohësisht barna apo produkte të tjera dëmtuese të mëlçisë”, apelon mjeku farmacist.
A mund të zëvendësohet paracetamoli me ndonjë produkt apo bar natyral?
“Paracetamol si qetësues i dhimbjes, i lehtë dhe i moderuar, deri më sot mbetet alternativa më e mirë dhe e sigurt kur përdoret sipas këshillave dhe rekomandimeve të mjekut”, nënvizon Plangaj.
Abuzimi me paracetamolin apo edhe me ilaçe të tjera që mund të merren pa recetën e mjekut dhe pa konsultim me të, mund të sjellë helmime fatale për jetën e njeriut. Në çdo rast konsultimi me një mjek, është zgjidhja më e sigurt.
Gazetare: Blerta Cina
/rtsh.al/