Nuk ndryshon masa e sigurisë për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka lënë në fuqi masën "arrest me burg" për kryebashkiakun. Masa ka ndryshuar vetëm për bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, e cila nga "arrest shtëpie" do të jetë "detyrim paraqitje".
“Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenet 112, 248 dhe 260 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 14, datë 12.02.2025, vendosi: 1. Vazhdimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj personit nën hetim Erion Veliaj me vendimin Nr. 7, datë 09.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. 2. Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi” caktuar ndaj personit nën hetim Ajola Xoxa me vendimin Nr. 7, datë 09.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me masën e sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga nenet 233 dhe 234 i K.Pr.Penale”, thuhet në vendimin e GJKKO-së.
GJKKO urdhëron Ajola Xoxën që të paraqitet para oficerëve të policisë gjyqësore A.H, S.G, R.N dhe B.K, të Premten e parë dhe të tretë të çdo muaj, ora 11:00.
“Urdhërohet personi nën hetim Ajola Xoxa të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës, në referim të nenit 233 pika 1 të K.Pr.Penale “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”. 5. Ndalohet përdorimi i pasaportës dhe dokumenteve të tjerë identifikues të vlefshme për daljen jashtë shtetit, për personin nën hetim Ajola Xoxa", thuhet në vendim.
GJKKO ka lënë në fuqi edhe vazhdimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për Elman Abule, si dhe vazhdimin e masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për Gentjan Sula, si dhe urdhëron këtë të fundit që të paraqitet para oficerëve të policisë gjyqësore A.H, S.G, Z. R.N dhe B.K, të Premten e parë dhe të katërt të çdo muaj, ora 14:00.
“Vazhdimin e masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” caktuar ndaj personit nën hetim Meriman Palushi, si dhe urdhërohet personi nën hetim Meriman Palushi që të paraqitet para oficerëve të policisë gjyqësore A.H, S.G, Z. R.N dhe B.K, të Premten e parë dhe të katërt të çdo muaj, ora 14:30. Vazhdimin e masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj personit nën hetim Fatmir Bektashi, dhe urdhërohet personi nën hetim Fatmir Bektashi që të paraqitet para oficerëve të policisë gjyqësore A.H, S.G, Z. R.N dhe B.K, të Premten e parë dhe të tretë të çdo muaj, ora 11:15. Vazhdimin e masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj personit nën hetim Shkëlqim Fusha, dhe urdhërohet personi nën hetim Shkëlqim Fusha që të paraqitet para oficerëve të policisë gjyqësore A.H, S.G, R.N dhe B.K, të Enjten e parë dhe të katërt të çdo muaj, ora 14:30.”, thuhet në vendimin e GJKKO-së.
Vendimi ngarkon Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me policinë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
“Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në në Gjykatën e Posaҫme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.”, përfundon vendimi i GJKKO-së.
/rtsh.al/