Në kuadër të panairit Biofach 2025, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) priti një delegacion të nivelit të lartë, i përbërë nga Sekretarja gjermane e Shtetit, Silvia Bender, nga Ministria Federale e Ushqimit dhe Bujqësisë (BMEL), Sekretari i Përgjithshëm i SWG, Boban Ilic, Ministria Shqiptare e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe shoqata shqiptare e bimëve medicinale.
Delegacioni u njoh nga afër me potencialin e sektorit të produkteve organike shqiptare, si dhe me iniciativat për promovimin dhe rritjen e aksesit të produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare. Gjatë takimeve me përfaqësues të AIDA-s dhe kompanive ekspozuese u diskutua mbi mundësitë e bashkëpunimit dhe mbështetjen që programet ndërkombëtare ofrojnë për rritjen e eksporteve shqiptare në sektorin agro-ushqimor.
Pjesëmarrja në Biofach 2025 është një mundësi e rëndësishme për Shqipërinë për të forcuar praninë e saj në tregun global të produkteve organike dhe për të krijuar lidhje të reja me partnerë strategjikë nga Europa dhe më gjerë. Ky takim u mundësua nga bashkëpunimi afatgjatë i AIDA-s me programin SIPPO dhe ITC Trade Promotion East.
/rtsh.al/