RTSH 24 Live

Politikë

Nën hetim nga SPAK, Bushka: Dëshmitarët janë intimiduar, kushërirës time i bënë trysni kundër meje

4 orë para

Nën hetim nga SPAK, Bushka: Dëshmitarët janë intimiduar, kushërirës time i bënë trysni kundër meje

Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, deputetja e PS Klotilda Bushka, ka reaguar pas përfshirjes së emrit të saj në hetimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke theksuar se ka mësuar për këtë zhvillim vetëm nga mediat dhe jo nga SPAK.

Ajo ka deklaruar se, si juriste dhe person që i ka dedikuar jetën ligjit dhe drejtësisë, nuk ka penguar askënd të thotë apo të fsheh ndonjë të vërtetë nga drejtësia, por shtoi se ka fakte se shumë dëshmitarë janë intimiduar dhe ushtruar trysni në deklaratat e tyre nga prokurorë të SPAK.

Sipas saj, pikërisht këto deklarata janë përdorur si prova ndaj hetimit të Veliaj, por dhe vetë saj. Bushka ka shprehur shqetësim se disa persona janë thirrur si dëshmitarë dhe më pas janë trajtuar si persona në hetim, duke iu mohuar e drejta për mbrojtje ligjore.

“Përfshirja e emrit tim në hetimin e kryebashkiakut Veliaj është një lajm që e kam dëgjuar nga media jo nga SPAK. Në e kryetares së Komisionit të Ligjeve dhe si person që i ka dedikuar të gjithë jetën ligjit dhe drejtësisë, kam punuar me dinjitet për të vërtetën. Ngjarjet e fundit kanë treguar se institucionet e reja të drejtësisë kanë fituar vetëbesimin e mjaftueshëm duke na çliruar ne nga pozicioni i moskomentimit të çështjes. Gjatë kontrollit të zyrave jam vënë në dijeni të një shqetësimi se disa dëshmitarë janë kërcënuar për të marrë dëshmi nën trysni. Jam shqetësuar për disa shkelje të pretenduara për të drejtat individuale. Janë thirrur si persona në dijeni dhe më pas janë pyetur si persona në hetim duke iu mohuar e drejta për mbrojtje ligjore. Ky është një fakt që prodhohet nga dhjetëra citime që përdoren si prova për të dërguar më pas në qeli Veliajn. Problematikat e kësaj çështje nuk janë të izoluara, por simptomat janë bërë të dukshme edhe më parë edhe tek Ligjet dhe raportet ndërkombëtare. Ne kemi shprehur kritika konstruktive për forcimin dhe garantimin e standardeve të procesit të rregullt ligjor”, tha Bushka.

Bushka ka shtuar gjithashtu se nuk është thirrur, dëgjuar apo ballafaquar me deklaratat ku përmendet emri i saj, duke shpjeguar se ka mësuar për hetimin ndaj saj nga shtypi, dhe se nuk ka ndërhyrë në asnjë mënyrë në procesin hetimor.

“Unë e kam a takuar vajzën e në fjalë, Ina Goxhaj dhe është kushërira ime me të cilën pretendohet se kam penguar drejtësinë. Si juriste i kam sqaruar një të afërmi të drejtat e saj dhe nuk e kam penguar të thotë asgjë apo të fsheh ndonjë të vërtetë. Unë jam e para që dua që e vërteta të zbardhet sa më parë. Unë nuk di të shpjegoj trysninë që i është bërë kushërirës time që deklaratat tona private i ka përcjellë në një kontekst tjetër. Unë jam në hetim dhe e kam mësuar nga shtypi, nuk jam thirrur dhe nuk jam dëgjuar ndonjëherë dhe nuk jam ballafaquar me deklaratat ku përmendet emri im”, u shpreh ajo.

Bushka ka sqaruar gjithashtu se ajo e njeh Ajola Xoxën dhe ka bashkëpunuar me të para se të bëhej deputete, ndërsa ka shprehur mbështetje për Veliajn si mik dhe ish-koleg, duke theksuar se është krenare për punën që kanë bërë së bashku.

“Unë e njoh Xoxën dhe kam bashkëpunuar me të para se të jem deputete dhe Veliaj është miku im i fëmijërisë dhe jam krenare për punën që kemi bërë së bashku. Unë e mbështes si mike dhe ish-kolege në nivelin njerëzor dhe i përcjell besimin tim të palëkundur të besimit tek e drejta dhe drejtësia”, tha ajo.

Deputetja e PS, Klotilda Bushka është në hetim nga SPAK për akuzën e pengimit të drejtësisë lidhur me hetimin që po zhvillohet për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj.

/rtsh.al/