RTSH 24 Live

Ekonomi

Pagat dhe produktiviteti, një studim i pavarur i ekspertëve të INSTAT

17/06/2024

Pagat dhe produktiviteti, një studim i pavarur i ekspertëve të INSTAT

Ndërsa rritja e pagave në sektorin publik është tashmë vetëm çështje ditësh, për arsyen se buxheti i shtetit e ka planifikuar para dy vitesh këtë rritje dhe akti normative i fillim vitit 2024 e ka sanksionuar këtë rritje, në sektorin e biznesit nuk ka një pasqyrë të qartë të dinamikës së pagave.

Këshilli i Investimeve, një institucion jobuxhetor që ndihmon qeverinë në politikat e saj, ka realizuar në studim, sipas të cilit vetëm 46% e kompanive kanë deklaruar se kanë rritur pagat e punonjësve. Vrojtimi i Këshillit të Investimeve me 601 kompani tregon se jo të gjithë bizneset kanë reaguar njësoj. Referuar gjetjeve të këtij vrojtimi, 19% e bizneseve të pyetura nuk mendonin se duhet të ketë ndonjë ndikim rritja e pagave në sektorin publik dhe 39% i janë përgjigjur “jo” pyetjes nëse kjo masë e qeverisë ka prekur pagat në kompaninë e tyre. Interesante vlerësohet përgjigja e pyetjes “cila mendoni se është zgjidhja kryesore për mungesën e fuqisë punëtore?” 84% e pjesëmarrësve në sondazh iu përgjigjën me alternativën “Rritja e pagave”, por vetëm 46 për qind e kanë bërë këtë deri tani.

Vrojtim i Sekretariatit mbi sfidat e sektorit privat të lidhura me informalitetin, produktivitetin dhe inovacionin.

Një tjetër studim i pavarur i ekspertëve të INSTAT në rreth 13 mijë ndërmarrje, gjeti një lidhje pozitive ndërmjet rritjes së pagave dhe produktivitetit.

13,424 biznese aktive treguan se rritja me 1% e pagës për të punësuar ka dhënë një rritje mesatare të produktivitetit të punës me 0,6%. Studimi tregon se rritja me 1 për qind e fitimit për të punësuar, rrit produktivitetin me 0,38%. Apo rritja me 1 për qind e investimit për të punësuar, rrit produktivitetin mesatarisht me 0,024%.

Sipas Raportit të Konvergjencës së Bankës Qendrore Evropiane (BQE) rritja e pagave duhet të vijë si pasojë e rritjes së produktivitetit të punës në nivel ndërmarrjeje. Në Shqipëri, deri sot, rritja e pagave nuk ka pasqyruar rritjen e produktivitetit të të punësuarave.

Gazetar: Bardhi Sejdarasi

/rtsh.al/