RTSH 24 Live

Ekonomi

Shqipëri–Bullgari zgjerojnë bashkëpunimin, Miloshev: E nevojshme linja Tiranë–Sofje

15 orë para

Shqipëri–Bullgari zgjerojnë bashkëpunimin, Miloshev: E nevojshme linja Tiranë–Sofje
Ministri i Turizmit i Bullgarisë Evtim Miloshev

Ministri i Turizmit i Bullgarisë, Evtim Miloshev, ishte për një vizitë zyrtare në vendin tonë për të rritur bashkëpunimin mes dy vendeve. Gjatë takimit me homologen shqiptare, Mirela Kumbaro u nënshkruan një plan të përbashkët veprimi me qëllim forcimin e bashkëpunimit të dy shteteve në fushën e turizmit.

Në një intervistë për RTSH, ministri i Turizmit të Bullgarisë fillimisht uroi vendin tonë për hapjen e grup-kapitujve në BE.

Fillimisht dua të përgëzoj të gjithë shqiptarët për çeljen e negociatave me BE.  Kjo është bërë vetëm falë meritave tuaja pasi ky është parimi për të cilat Shqipëria është vlerësuar kaq shumë dhe që u vendos hapja e diskutimit të grup-kapitujve të parë”, tha ministri.

Ministri bullgar tha se qëllimi i vizitës së tij në vendin tonë është nënshkrimi i planit të veprimit për 3 vitet e ardhshme.

“Qëllimi i vizitës sime është turizmi dhe jam i lumtur që me ministren tuaj, Kumbaron kemi nënshkruar një plan veprimi për vitet 2025-2027. Rritjet e vendin tuaj në fushën e turizmit gjatë viteve të fundit janë të mëdha e të dukshme. Dhe kjo është një premisë e mirë për bashkëpunim tonë të ardhshem. Për të rritur bashkëpunimin ka vlerë të rëndësishme edhe marrëdhënia e shkëlqyer mes dy vendeve. Por është një element që na pengon shumë në fushën e turizmit dhe kjo është mungesa e linjës ajrore direkte Tiranë-Sofie. Kjo ishte edhe temë e rëndësishme e diskutimit me ministren me të cilën ramë dakort që ne si përfaqësues të dy shteteve duhet të krijojmë të gjitha premisat dhe kushtet e përshtatshme nga ana politike në mënyrë që kjo të realizohet sa më shpejt", tha ai.

Ministri theksoi edhe rëndësinë e krijimit të një brandi turistik rajonal.

Një tjetër pikë diskutimi ishte edhe krijimi i brandit turistik ballkanik. Kjo është një ide e imja që po e promovoj dhe jam i lumtur që ministria Kumbaro e pranoi këtë ide dhe mendojmë në të njëjtin drejtim. Ne si rajon i Ballkanit duhet të krijojmë produkte turistike të përbashkëta në mënyrë që turistët të zgjedhin këtë paketë dhe kjo çon drejtpërdrejtë në rritjen e fluksit të turizmit. Nevojat e turistëve sot janë të ndryshme nga vite më parë. Ne jetojmë në një kohë kur qytetarë nga destinacione të largëta dëshirojnë të vizitojnë site të reja turistike të panjohura më parë. Tashmë jetojmë në një epokë digjitale që ndryshon edhe kërkesat e turistëve që dëshirojnë të vijnë të eksplorojnë vendin, kuzhinën, historinë, traditën e të tjerë. Dhe nga kjo pikëpamje turizmi i qëndrueshëm, sot do të thotë që turistët përjetojnë gjithçka mund t’i ofrojnë vendet", shtoi ai.

Edhe në Bullgari, mungesa e fuqisë punëtore në turizëm përbën një problem kryesor tha ministri Miloshev.

Mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar në fushën e turizmit është një problem edhe në Bullgari. Dhe besoj ky është një problem i gjithë Europës mendoj. Ne jemi në një epokë që përpiqemi të importojmë punonjës të kualifikuar për fushën e turizmit nga jashtë dhe po shikojmë të marrim punonjës nga Lindja e Mesme dhe e largët. Ky është një tjetër problem që mund ta eleminojmë nëse punojmë së bashku si rajon. Pasi mund të shkëmbejmë pikërisht këta punonjës të kualifikuar. Dhe nëse punojmë së bashkë që turizmin ta kthejmë si paketë ballkanike do të kemi edhe një turizëm gjithëvjetor në këtë mënyrë do të kemi më të lehtë edhe të sigurojmë punonjës të kualifikuar", tha ministri bullgar.

Ministri i Turizmit i Bullgarisë theksoi se bashkëpunimi rajonal mund ta kthejmë edhe në përfitim sa i përket fondeve të BE-së.

Nëse ne bashkohemi si rajon do të kemi mundësi më të mëdha për të fituar edhe nga projektet e BE dhe këto fonde do të na bëjnë të investojmë më shumë që të kemi një turizëm të qëndrueshëm", tha ministri.

Ministri bullgar u shpreh se po ikën nga Tirana me impresionet me të mira dhe me dëshirën që herën tjetër të jetë në Tiranë përmes linjës ajrore direkte Sofie-Tirane.

Gazetare: Amela Koçerri

/rtsh.al/