RTSH 24 Live

Ekonomi

Tuneli i Murrizit hapet në mars, vazhdon puna te tuneli i emergjencës

31/12/2024

Tuneli i Murrizit hapet në mars, vazhdon puna te tuneli i emergjencës

Tuneli i Murrizit do të jetë gati për qarkullimin e mjeteve në muajin mars.

Këtë e njoftoi zv.kryeministrja Belinda Balluku, e cila zgjodhi të bënte inspektimin e fundit për vitin 2024 pikërisht në kantierin e kësaj vepre, ku edhe foli për sfidat në realizim.

"Tuneli i Murrizit tashmë është një tub i hekurt i armatuar në 360 gradë për të krijuar qëndrueshmëri. Me zgjedhjet e reja teknike që janë dhënë dhe pa dyshim me pjesën inxhinierike më të avancuar që është përdorur këtu, ia dolëm dhe arritëm që në fund të vitit 2024 Tuneli i Murrizit të jetë plotësisht i përfunduar," deklaroi znj. Balluku.

Balluku foli edhe per vonesat ne hapjen e per qarkullim te kesaj vepre infrastrukturore.

"Të gjithë thonë pse nuk po hapet? Çështja është se Tuneli i Murrizit është një tunel kompleks dhe duhet të përfundojë në të gjitha detajet e tij. Në krahun tonë të djathtë ndodhet edhe tuneli i emergjencës, ku ende punohet," tha zv.kryeministrja.

Tuneli i Murrizit ka një gjatësi prej 3.800 metrash dhe është realizuar totalisht nga kompani shqiptare. Ai e afron më shumë zonën e Matit dhe të Dibrës me kryeqytetin.

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/