2024 ishte një vit i suksesshëm për Bashkinë Lezhë, e cila arriti të dalë nga borxhi prej 4,6 miliardë lekëve, duke tejkaluar të ardhurat dhe duke i hapur rrugën një sërë investimesh të rëndësishme që pritet të realizohen.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, kryetari i bashkisë, Pjerin Ndreu, bëri një rezyme të punës së dikasterit që drejton. Sipas tij, zerimi i borxhit është gjëja më pozitive që ka ndodhur ndonjëherë në menaxhimin e pushtetit lokal.
"2024 i ka tejkaluar të ardhurat. Vijmë për herë të parë me zero borxh vitin tjetër, pa asnjë faturë të palikujduar," deklaroi z. Ndreu.
Infrastruktura rrugore në qytet e zonat rurale, ndërtimi i ujësjellësve dhe rikonstruksioni i kopshteve do të jetë në fokusin kryesor të punës së bashkisë Lezhë përgjatë vitit 2025.
"Investimet në qytet që fillojnë tani me ujërat e zeza dhe të bardha, duke filluar nga Shëngjini, lagjja 'Nënë Tereza' dhe pastaj qyteti, ne e lidhim gjithë problemin e infrastrukturës paralel me rrugët urbane, pra i gjithë qyteti do të kalojë në një rikonstruksion jo vetëm poshtë, por edhe sipër," tha kryebashkiaku.
Buxheti i bashkisë Lezhë për vitin 2025 u miratua pak ditë më parë dhe ka ardhur në rritje, duke kapur vlerën e 22,7 miliardë lekëve për realizimin e një sërë investimesh.
/rtsh.al/