RTSH 24 Live

Ekonomi

Sejko takim me shefin e FMN-së për Shqipërinë: Inflacioni është në nivelet më të ulëta

18 orë para

Sejko takim me shefin e FMN-së për Shqipërinë: Inflacioni është në nivelet më të ulëta

Një delagacion i Bankës së Shqipërisë i kryesuar nga Guvernatori Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjet Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), të zhvilluara në Uashington DC, SHBA.

Këto takime shërbejnë për të prezantuar zhvillimet ekonomike dhe perspektivat e progresit të mëtejshëm të vendit.

Në diskutime me përfaqësues të BB dhe FMN, Guvernatori Sejko u shpreh se me gjithë goditjet e pafavorshme ekonomike globale dhe inflacioni i lartë, Shqipëria ka mundur ta fitoje luftën me inflacionin që u shfaq prej fillimit të konfliktit në Ukrainë.

“Shqipëria e ka fituar luftën me inflacionin që u shfaq prej fillimit të konfliktit në Ukrainë dhe tashmë inflacioni është në nivelet më të ulëta, ndërkohë që tregjet financiare paraqiten të qeta, dhe me kapacitet për mbështetjen dhe përparimin e mëtejshëm të ekonomisë shqiptare”, u shpreh Guvernatori Sejko.

Sejko u ndal edhe tek puna që po bëhet për integrimin e Shqipërisë në Sistemin Europian të pagesave.

Delegacioni pati rastin të zhvillojë dhe takime të tjera me homologë nga vende të ndryshme.

Përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së përgëzuan Shqipërinë veçanërisht për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian për grup-kapitullin e parë.

Ata gjithashtu u ndalën në vlerësimin e përmirësuar nga Agjencia prestigjioze Ndërkombëtare e Vlerësimit Moody’s, e cila e rishikoi me rritje ekonominë shqiptare, duke e konsideruar në Ba3- e qëndrueshme, nga B1-pozitive.

/rtsh.al/