RTSH 24 Live

Politikë

Rama takon shqiptarët në SHBA, Berisha: E pritën me protesta, bën sikur i dhimbsen

8 orë para

Rama takon shqiptarët në SHBA, Berisha: E pritën me protesta, bën sikur i dhimbsen

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në protestën te ‘Rruga e Shpresës’ e ka konsideruar kryeministrin Rama si “armik të kombit shqiptar” teksa iu referua takimi të këtij të fundit në Nju-Jork me emigrantët shqiptarë.

Berisha ka shprehur mirënjohje për shqiptarët që protestuan kundër Ramës në SHBA, duke e cilësuar atë si të padëshiruar për shqiptarët e diasporës.

Kreu i PD-së u shpreh se Rama ka bërë shpenzime të larta gjatë një udhëtimi jashtë vendit, duke ironizuar pretendimet e tij për t’u kujdesur për pensionistët. Berisha thekson se Rama shpenzoi mijëra dollarë për një ndeshje sportive, ndërsa pensionistët vuajnë për nevojat e tyre bazë.

"Vëllezër dhe motra, udhëtimi i këtij banditi, këtij krimineli, me suitën e tij, a e patë, kish marrë me vete edhe Vangjel Tavon, njeriun që nuk është as shqiptar, as grek, por ka vetëm moralin e hajdutit të Edi Ramës.

Vërshuan për të zënë nga një vend në sallë. Para takimit, ata që qanin hallet për pensionet, ai që ka gozhdë që kur erdhi në pushtet çështjen e pensioneve të pensionistëve, shkoi me mace e me minj, me të madh e me të vogël në ndeshje ku bileta ku kushton siç thotë 10 gjer në 20 mijë dollarë. Kurse salla kushton 250-300 dollarë për person. Ja pra pensionet dhe gozhda e hajdutit të pashpirt", u shpreh Berisha. 

Berisha bëri thirrje për protesta të fuqishme dhe simbolike ndaj Ramës, kudo që ai të shfaqet, duke i konsideruar protestat shqiptare në Nju Jork si një burim frymëzimi për kundërshtimin ndaj qeverisë aktuale.

"Miqtë e mi, bashkëatdhetarët tanë të pamposhtur, patriotë të flaktë, me protestën e tyre të sotme i bëjnë thirrje çdo shqiptari kudo të jetë ta presë me domate, ta presë me vezë, ta presë me protestë kryehorrin e kombit, kryehajdutin e kombit, kryetradhtarin e kombit Edi Rama, në çdo pëllëmbë të tokës shqiptare, kudo që të jetë, në Shqipëri, në Europë dhe kudo", tha Berisha.

Berisha apelon për një mobilizim të gjerë ndaj kryeministrit Edi Rama dhe bashkëpunëtorëve të tij, duke i quajtur ata “hajdutë” dhe “tradhtarë të kombit.” Ai inkurajon qytetarët që të protestojnë kudo që të shfaqet Rama, duke përdorur simbolika si vezë dhe domate për të shprehur zemërimin e tyre. Lideri demokrat, Sali Berisha ka kritikuar gjithashtu ministrat e Ramës, si Balluku dhe Ulsi Manjën, për abuzimin me fondet publike dhe keqadministrimin e burimeve, duke i quajtur ata përgjegjës për problemet sociale. Ai thekson se kjo është një betejë për demokraci dhe drejtësi, dhe se mobilizimi i qytetarëve është çelësi i suksesit.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Berisha bëri thirrje për një protestë të organizuar nesër në Durrës, te Ura e Dajlanit, duke njoftuar se po kthehen kontejnerët me substanca helmues që janë refuzuar nga vende të tjera si Turqia dhe Italia. Ai i fton qytetarët e Durrësit, Kavajës dhe demokratët kudo që janë të dalin në protestë për të kundërshtuar këtë situatë, duke theksuar se është koha për të mbrojtur qytetin dhe për të shpëtuar komunitetin nga rreziku i helmimit.

/rtsh.al/