RTSH 24 Live

Politikë

Rama me diasporën në SHBA: Dua votën për Shqipërinë 2030, ka ende "ferra" për të pastruar

10 orë para

Rama me diasporën në SHBA: Dua votën për Shqipërinë 2030, ka ende "ferra" për të pastruar

Kryeministri Edi Rama ftoi të shtunën shqiptarët e diasporës në Amerikë të votojnë Partinë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.

Në turin e emërtuar "Krenar për Shqipërinë", kryesocialisti shoqërohej nga zyrtarët më të lartë të PS-së, mbështetës dhe nga bashkëshortja e tij. Bashkë me të ishin edhe ministrat Taulant Balla, Igli Hasani dhe Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi.

Të ardhurit nga Tirana u pritën me brohoritje në sallën e dekoruar nga pjesëmarrësit e shumtë të veshur me shallet kuqezi dhe me plisa në kokë.

"Jam këtu sot, bashkë me disa kolegët e mi, para jush, gjithë shqiptarëve të Amerikës, për t'ju thënë se në pranverën e ardhshme dua votën tuaj nga Amerika për ta bërë Shqipërinë 2030 anëtare të Bashkimit Europian dhe për ta ngritur bashkë me ju flamurin e Skënderbeut, Ismail Qemalin, në oborrin e Bashkimit Europian, në Bruksel, krah për krah gjithë flamujve të tjerë të familjes së madhe europiane, së cilës i kemi përkitur gjithmonë historikisht kur historia gjithmonë na ka penguar t'ju bashkojmë. Dhe sot është dita për ta bërë së bashku historinë! Ky është premtimi i premtimeve, ky është zotimi i pandryshueshëm i të tria mandateve dhe vetë kuptimi i mandatit tonë të katërt për Shqipërinë.

Rruga e Shqipërisë gjatë periudhës që unë kam pasur privilegjin të udhëheq me përpjekjen tonë të përbashkët drejt bashkimit me Europën i ngjan shumë rrugës së çdo emigranti shqiptar në përpjekjen e tij për t'u pranuar dhe për t'u integruar me sukses në Europë dhe në Amerikë. Kur unë mora detyrën këtu e dhjetë vite më parë, Shqipëria shihej me dyshime e plot paragjykime nga bota, ashtu siç shiheshin shqiptarët, ashtu siç shiheshit ju kur shkelët për herë të parë jashtë Shqipërisë.

Unë nuk kam ardhur këtu sot t'ju them që Shqipëria është një fushë me lule, sepse nuk është. Përkundrazi. Kemi akoma shumë ferra për të pastruar. Ne kemi akoma jo pak plagë për të shëruar, por kam ardhur këtu për t'ju thënë sa krenar për gjithçka të mirë kemi bërë deri këtu, aq edhe i vetëdijshëm për sa shumë akoma mbetet për të bërë.

Prandaj kam ardhur këtu që ta vazhdojmë dhe ta përmbushim së bashku këtë mision të nisur një dekadë më parë, për ta ngjitur Shqipërinë në majën e 2030-ës duke e bërë përfundimisht të pakthyeshme rrugën e Europës dhe duke bërë për vendin tonë, për shtetin tonë, për flamurin tonë atë që çdo shqiptar si ju, në Amerikë apo në Europë, ka bërë për veten e vet, për familjen e vet, për të ardhmen e fëmijëve të vet, duke u bërë pjesë krenare e pandashme e bashkësisë ku sot jeton dhe punon këtu në Amerikë apo matanë oqeanit në Europë," tha z. Rama.

/rtsh.al/