RTSH 24 Live

Politikë

Rama: Emigrantët mbajtën në këmbë Shqipërinë, pa ta do bëhej si në ‘97-n

9 orë para

Rama: Emigrantët mbajtën në këmbë Shqipërinë, pa ta do bëhej si në ‘97-n

Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar rolin e emigrantëve në ecurinë e ekonomisë shqiptare.

Duke folur nga Nju-Jorku me shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në SHBA, Rama tha se pa emigrantët, Shqipëria do të hynte në situata tragjike si ato të viteve të mëparshme teksa solli në vëmendje edhe 1997-n.

Sipas tij, shuma e parave që emigrantët kanë derdhur për Shqipërinë “çdo vit ka qenë shuma më e madhe, krahasuar me të ardhura të tjera nga sektorë të ndryshëm apo me investimet e huaja”

Në radhë të parë as nuk diskutohet që pa mbështetjen e emigrantëve, Shqipëria do të kishte hyrë në situata shumë më të rënda se sa ato që hyri, me krizat tragjike të së shkuarës ku ajo e 1997-s ishte më e llahtarshmja. Dhe ishin emigrantët që e mbajtën Shqipërinë në këmbë me ndihmat e tyre të drejtpërdrejta për familjet dhe për ekonominë e vendit. Shuma që emigrantët kanë derdhur për Shqipërinë çdo vit ka qenë shuma më e madhe, krahasuar me të ardhura të tjera nga sektorë të ndryshëm apo me investimet e huaja”, tha Rama.

Sa i përket përfshirjes në politikë të emigrantëve, kryeministri vuri në dukje se Partia Socialiste ka hapur platformën “Deputeti që Duam” së cilës pritet t’i bashkëngjiten edhe shqiptarët që jetojnë në diasporë.

Sipas Ramës, në listën e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të gjenden edhe emrat e emigrantëve që duan të jenë në Parlament.

Për sa i përket përfshirjes së emigrantëve drejtpërdrejt në politikë dhe përfaqësimi i tyre në Parlament ne kemi hapur një platformë për të gjithë ata që duan të bëhen deputetë dhe ne do të zgjedhim edhe mes atyre që kanë shprehur interesin edhe nga Amerika. Të jeni të sigurt që në listën e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme do të gjeni në të gjitha qarqet edhe shqiptarë që janë sot në emigracion. Pastaj ju takon juve të jepni mbështetjen me votë dhe ata të hyjnë në Parlamentin e Shqipërisë”, u shpreh kreu i qeverisë nga Nju-Jorku.

/rtsh.al/