Kryeministri Edi Rama ftoi shqiptarët e diasporës të shfrytëzojnë Paketën e Maleve, që qeveria shqiptare ka krijuar për të mbështetur investimet e tyre, për të mbajtur lidhjen shpirtërore me Shqipërinë, por edhe për fitime financiare.
Nga Nju-Jorku, ku zhvilloi një takim me shqiptarët e Amerikës në kuadër të fushatës politike me diasporën, shefi i qeverisë kujtoi se janë të shumtë sektorët për të investuar në vend.
"Paketa do u japë të gjithë atyre që janë në emigracion dhe duan t'i investojnë kursimet e tyre në vendlindje, për agroturizëm, për agropërpunim, për çfarëdo qoftë, një mundësi të re me shumë avantazhe të natyrës së taksave, detyrimeve dhe me mbështetje të drejtpërdrejtë nga qeveria.
Ajo që unë u them gjithë shqiptarëve që jetojnë në Amerikë ose në Europë, që kanë punën e familjen e tyre këtu, nuk është kthehuni përgjithmonë, por 'po t'i investoni kursimet tuaja në Shqipëri, te shtëpia e gjyqit, për ta kthyer në agroturizëm apo për të bërë agropërpunim, në fund të muajit do të fitoni më shumë nga shtëpia e gjyqit sesa nga ai që jep punë këtu dhe ju paguan një rrogë.
Cilido prej jush, çdokush që ka një tokë në zonat veriore në radhë të parë, sepse investimet e bëra aty na tregojnë përditë që interesi i turistëve është në rritje të madhe. Cilido që ka një tokë dhe do të investojë mjafton të paraqesë interesin për investim dhe me Paketën e re të Maleve menjëherë shteti vihet në lëvizje për t'ia krijuar mundësinë që të realizojë investimin dhe të marrë tokën që i takon. I kemi lehtësuar maksimalisht procedurat për të gjithë emigrantët që duan të investojnë në fshat. Ndaj jeni më shumë se të mirëseardhur. Kjo punë është beso dhe kontrollo. Ju provojeni, dhe në qoftë se fjalët nuk dalin kështu do thoni 'edhe ky si gjithë të tjerët'. Por unë nuk jam si gjithë të tjerët!" u shpreh z. Rama.
/rtsh.al/