RTSH 24 Live

Serbi

Opozitari serb lirohet nga burgu, avokati: Vendimi u mor pas trysnisë nga Perëndimi

15/01/2024

Opozitari serb lirohet nga burgu, avokati: Vendimi u mor pas trysnisë nga Perëndimi

Politikani opozitar serb, Nikolla Sanduloviq, u lirua nga paraburgimi në qytetin jugor të Serbisë, Nish, ku po mbahej që nga 5 janari.

Lajmi u bë i ditur nga avokati mbrojtës, Çedomir Stojkoviq. Ai tha se vendimi erdhi vetëm një orë pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të tij.

Nikolla Sandulloviq sapo ka dalë nga burgu për t’u mbrojtur ndaj akuzës se vendosi lule mbi varrin e një vajze shqiptare,” shkroi z. Stojkoviq në rrjetin social “X”.

Ai theksoi se arrestimi i Sanduloviqit ishte një vendim i nxitur politikisht, pasi i parapriu edhe dhunimi i tij.

Familjarët e politikanit serb kanë deklaruar se ai është dhunuar nga shërbimi sekret serb.

Më herët, Zyra e Prokurorit në Nish kishte konfirmuar se Sanduloviqi ndodhej në paraburgim pasi dyshohej për kryerje të veprave penale të nxitjes së urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare.

Kreu i Partisë Republikane të Serbisë u arrestua një ditë pasi bëri homazhe në varrezat e familjes Jashari në Prekaz, ku mbi 50 anëtarë të saj u vranë në vitin 1998 gjatë luftës në Kosovë.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/