RTSH 24 Live

Politikë

Ministri Hoxha dhe kreu i Policisë së Shtetit vizitojnë policët e dëmtuar në protestën e opozitës

07/10/2024

Ministri Hoxha dhe kreu i Policisë së Shtetit vizitojnë policët e dëmtuar në protestën e opozitës
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha dhe kreu i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, zhvilluan një vizitë në Spitalin e Traumës, ku po trajtohen efektivët e lënduar, gjatë protestës së opozitës.

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, gjatë një prononcimi për mediat, u shpreh se gjendja shëndetësore e efektivëve të lënduar është e mirë.

“Kanë dëmtime të lehta, disa kanë lënë spitalin. Tre janë ende nën vëzhgimin e mjekëve. Menaxhimi i tubimit ka qenë në përputhje të plotë me ligjin. I falënderoj për punën, përkushtimin dhe detyrën e kryer. Asnjë nga tubuesit dhe qytetarët nuk është lënduar dhe dëmtuar, përveç punonjësve të policisë. Numri i punonjësve të policisë të lënduar është 10”, tha Hoxha.

Ministri Hoxha tha se protesta ishte e dhunshme.

“U sulmuan institucione kushtetuese të shtetit shqiptar, sikurse ju e patë. Janë sulmuar pothuajse të gjitha institucionet e shtetit shqiptar, përfshirë këtu edhe selinë e PS. Ky sulm, ka bërë që Policia të përgjigjet dhe të zmbrapsë turmën duke përdor edhe gazin lotsjellës. Përgjigjja e policisë është konform ligjit”, theksoi Hoxha.

Ai në fund theksoi se, Policia e Shtetit sot ishte në standardet e një policie evropiane, megjithëse kjo protestë konsiderohet e dhunshme.

/rtsh.al/