Mevlan Shanaj, një figurë e shquar në kinematografinë shqiptare, feston sot 80-vjetorin e lindjes, ditë që këtë vit e gjeti në Vietnam. Në një lidhje për emisionin “Miqtë e pasdites”, aktori dhe regjisori i njohur tregon se udhëtoi drejt Vietnamit në mënyrë që këtë ditëlindje ta festonte bashkë me fëmijët e tij që jetojnë atje.
“Në Vietnam kam fëmijët, nipin dhe mbesën, vajza është këtu me punë dhe dhëndri. Duan ata që unë të festoj 80 vjetorin, ishte një befasi e bukur. Vietnami ishte një surprizë, kemi dëgjuar por kur e prek merr informacione të tjera. Njerëzit punëtor që e duan punën”, u shpreh aktori.
Ai u surprizua edhe nga një video-mesazh nga i biri, regjisori Joni Shanaj, i cili shprehu vlerësimet më të larta për të atin jo vetëm në fushën e artit, por edhe në aspektin njerëzor.
“Mevlani është një nga regjisorët më të rëndësishëm të historisë së kinematografisë shqiptare. Jo vetëm sepse në ekran u shfaq si një aktor yll në ndoshta filmin më të rëndësishëm që ka kinematografia shqiptare e para ’90, që është “I teti në brox”. Mevlani nuk ka punuar në Kinostudio, por në Radio Televizionin Shqiptar. Mevlan Shanaj është ai që vendosi etalonin e filmit të pavarur dhe e vazhdoi këtë edhe pas ’90 me filma-dokumentar, duke e kthyer këtë zhanër në një risi që ka hapur një rrugë të re për kinematografinë e së ardhmes në Shqipëri. Më bën përshtypje që të gjithë bashkëpunëtorët e tij janë njerëz që në modestinë e tij ja dinë vlerën Mevlanin dhe e duan si rrallë herë kam parë shokë të duan një shok”, tha Joni Shanaj.
Mevlan Shanaj lindi më 7 shkurt të vitit 1945 në Mallakastër, ku është shpallur edhe "Qytetar Nderi".
Artisti shumëdimensional, një figurë e mirënjohur e kinematografisë shqiptare, ka interpretuar në filmat: I teti në bronz (1970), Rrugicat që kërkonin diell (1975), Ballë për Ballë (1979), Rrethimi i vogël (1986), Pranvera s'erdhi vetëm (1988) i Piro Milkanit, Unë e dua Erën (1991), Viktimat e Tivarit (1996); Lule të kuqe, lule të zeza (2003), një realizim i vetë Shanajt. Të tjera realizime të tij janë filmat artistikë: Korrierët (1976), Plumba perandorit (1980 ), I paharruari (1984), Të shoh në sy (1985), Një telegram dhe një këngë (1986), Fletë të bardha (1990).
/rtsh.al/