RTSH 24 Live

Kulturë

Mevlan Shanaj 80 vjeç, aktori dhe regjisori feston sot ditëlindjen

4 orë para

Mevlan Shanaj 80 vjeç, aktori dhe regjisori feston sot ditëlindjen

Mevlan Shanaj feston sot 80-vjetorin e lindjes.

Ai është një figurë e shquar në kinematografinë shqiptare, si një nga aktorët e nivelit më të lartë, si regjisor në kinema dhe televizion, si prodhues filmash, si skenarist dhe producent, si autor e si profesor në degën e regjisë pranë Akademisë së Arteve në Tiranë.

Shanaj lindi më 7 shkurt të vitit 1945 në Mallakastër, ku është shpallur edhe "Qytetar Nderi".

Artisti shumëdimensional, një figurë e mirënjohur e kinematografisë shqiptare, ka interpretuar në filmat: I teti në bronz (1970), Rrugicat që kërkonin diell (1975), Ballë për Ballë (1979), Rrethimi i vogël (1986), Pranvera s'erdhi vetëm (1988) i Piro Milkanit, Unë e dua Erën (1991), Viktimat e Tivarit (1996); Lule të kuqe, lule të zeza (2003), një realizim i vetë Shanajt.

Të tjera realizime të tij janë filmat artistikë: Korrierët (1976), Plumba perandorit (1980 ), I paharruari (1984), Të shoh në sy (1985), Një telegram dhe një këngë (1986), Fletë të bardha (1990).

Gjatë punës në Radio Televizionin Shqiptar, Shanaj ka realizuar rreth 30 vepra të zhanreve të ndryshme televizive, drama televizive dhe shumë spektakle.

Gazetare: Xhilda Kondi

/rtsh.al/