RTSH 24 Live

Aktualitet

Kongresi Botëror i Ligjit 2027 në Tiranë, Rama: Shpërblim për arritjet dhe sinjal i fortë besimi

3 orë para

Kongresi Botëror i Ligjit 2027 në Tiranë, Rama: Shpërblim për arritjet dhe sinjal i fortë besimi

Tirana do të mirëpresë për herë të parë Kongresin Botëror të Ligjit që do të mbahet në vitin 2027, marrëveshje që u firmos sot në Spanjë nga kryeministri Edi Rama. Në një konferencë për shtyp, Rama e konsideroi atë si një shpërblim për punën e bërë në Shqipëri në fushën e drejtësisë dhe po ashtu edhe një sinjal besimi.

Fakti që Shqipëria do të mikpresë Kongresin Botëror të Drejtësisë është shpërblimi më inkurajues për të gjitha përpjekjet dhe arritjet, por po kështu ku është një sinjal mjaft i fortë besimi që vjen me përgjegjësinë për të bërë më mirë dhe për të përfaqësuar një vend që vjen nga një e shkuar mjaft e vështirë, por përmes aleancave të duhura mund të tejkalojë edhe të shkuarën më të keqe e më shkuarjes kur vjen fjala për të ndërtuar institucione të besueshme dhe për të garantuar që shteti i së drejtës të jetë një mënyrë jetese”, tha Rama.  

I pyetur nëse mund të ketë një marrëveshje për emigrantët me Spanjën si me Italinë, Rama tha se nuk e shihte si të mundshme këtë gjë, veçanërisht edhe për shkaqe gjeografike.

Nuk jam i sigurt që do të kishte shumë kuptim sepse lidhet po kështu shumë me gjeografinë. Nëse e keni idenë e pozicionit gjeografik të dy vendeve, ne jemi njerëzit thonë të ndarë por unë them  jemi të bashkuar nga deti me Italinë dhe e vetmja gjë që e bën këtë marrëveshje të arsyeshme është se migrantët nuk ndalojnë në Itali sepse po të ndalojnë në Itali hyjnë në territorin e Bashkimit Europian dhe vihen në lëvizje procedura të tëra, por ata ndalojnë në Shqipëri dhe sa e bëshme do të ishte për Spanjën që të ndalonin në Shqipëri, nuk e shoh këtë gjë të mundshme”, deklaroi ai.

Kryeministri kishte edhe një ftesë për të gjithë të pranishmit gjatë konferencës që të vizitonin Shqipërinë, duke i premtuar mikpritje si në asnjë vend tjetër.

“Të gjithë këtu kanë të gjithë një ftesë për të ardhur në Shqipëri me premtimin që do të doni të ktheheni dhe me premtimin që çdo gjë që keni dëgjuar se në çfarë mënyre të bukur të parët tuaj në Spanjë përdornin për të mirëpritur miqtë, do ta gjeni aty. Kështu që nuk jemi ende aq të pasur sa të humbasim kujtesën dhe duam të tregojmë se jemi mikpritës për këdo”, u shpreh kreu i qeverisë shqiptare.

Kongresi Botëror i Ligjit do të sjellë në Tiranë rreth 3 mijë juristë nga gjykatat supreme dhe sistemet gjyqësore të shumë vendeve të botës.

Më herët gjatë ditës kryeministri Rama është pritur në një takim të posaçëm nga Mbreti i Spanjës, Felipe VI.

/rtsh.al/