Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, gjatë një takimi të zhvilluar në Gjirokastër me Prefektët e Qarkut, theksoi përgatitjet për zgjedhjet e 11 majit 2025. Ai foli për masat e marra dhe koordinimin për ngritjen e infrastrukturës zgjedhore, duke theksuar se të gjithë planet e masave janë hartuar dhe se Prefektët, në bashkëpunim me Bashkitë dhe Policinë e Shtetit, do të jenë të gatshëm për organizimin e zgjedhjeve.
“Sot në vijim të takimeve që kemi periodikisht me Prefektët e Qarkut, kemi bërë një takim në Gjirokastër ku kemi biseduar për të gjitha masat e marra dhe koordinimin për përgatitjen dhe ngritjen e infrastrukturës për zgjedhjet e 11 majit. Kemi diskutuar në detaje të gjitha përgjegjësitë që Prefektët e Qarqeve duhet të marrin në zbatim të ligjit si dhe Kodit Zgjedhor. Aktualisht janë hartuar të gjithë planet e masave. Prefektët e qarqeve në bashkëpunim me Bashkitë, Policinë e Shtetit do të jenë në gjendje për të ngritur infrastrukturën dhe planifikuar në mënyrë të rregullt zgjedhjet e 11 majit 2025. Aktualisht kemi rreth 100 mijë shtetas shqiptarë, të cilët janë regjistruar në platformën e KQZ për zgjedhjet e 11 majit”, u shpreh ministri Hoxha.
Për sa i përket votës së diasporës, Ministri Hoxha njoftoi se Qeveria Shqiptare ka miratuar një vendim për të zgjatur vlefshmërinë e kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike të shtetasve shqiptarë, duke i mundësuar atyre të votojnë për zgjedhjet e 11 majit, deri në datën 31 maj 2025.
“Për sa i përket votës së diasporës, Qeveria Shqiptare miratoi p/vendimin ditën e mërkurë, ku të gjithë shtetasve shqiptarë të cilëve u kishte përfunduar vlefshmëria e kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike, do të kenë mundësi të votojnë për zgjedhjet e 11 majit. Kjo vlefshmëri është zgjatur deri në datën 31 maj 2025”, theksoi ai.
/rtsh.al/