RTSH 24 Live

Politikë

Balla: Kërkesa e PD që emigrantët të votojnë me pasaportë të huaj, jo logjike. Kërkojnë alibi për të prishur zgjedhjet

3 orë para

Balla: Kërkesa e PD që emigrantët të votojnë me pasaportë të huaj, jo logjike. Kërkojnë alibi për të prishur zgjedhjet

“Jo logjike” e ka konsideruar Drejtuesi Politik i PS-së për Diasporën, Taulant Balla kërkesën e Partisë Demokratike që shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të lejohet të votojnë edhe me mjete të huaja identifikimi.

Në emisionin “Zëri i Diasporës”, Balla tha se një gjë e tillë është e parealizueshme edhe nga ana teknike, teksa akuzoi PD-në se “po kërkon alibi për të prishur zgjedhjet”. Balla shprehu bindjen se Partia Socialiste do të arrijë një fitore “historike” në zgjedhjet e 11 majit.

PD po kërkon çdo ditë një alibi për të penguar zgjedhjet. Besoj e keni ndjekur një propozim aspak logjik që në zgjedhjet e 11 majit, nga jashtë mund të votosh edhe me dokument të një vendi tjetër. Kjo është e pamundur sepse zgjedhjet mbahen në Shqipëri dhe që të marrësh pjesë në zgjedhjet në Shqipëri, duhet të vërtetosh që je shqiptar. Të vish në mes të procesit dhe të thuash do votoj me dokumente të një vendi tjetër, kjo minimalisht është një budallallëk, por që e ka të keqen brenda. Ata duan të prishin procesin sepse e dinë që nuk mund të fitojnë. PS do ketë rezultatin historik të vetin në këto zgjedhje, ndërsa PD do të ketë rezultatin më të dobët historik”, tha Balla.

Partia Demokratike ka deklaruar se do të kushtëzojë votën për ndryshimet në Kodin Zgjedhor pikërisht me këtë kërkesë, ndërsa për Ministrin Balla, synimi është pengimi i votës së diasporës.

PD, pak kohë më parë vinte me disa kërkesa, jo qeveria teknike, jo nuk do bëhen zgjedhjet sa të jemi ne..., tani kanë gjetur një element që Kodi ja ka dhënë që edhe në KQZ të kenë një mekanizëm bllokues në rregullator. A do ta përdori PD këtë çelës bllokues për të mos lejuar  votën e diasporës? Deklarimet e atij që ka marrë sot drejtimin e PD, të bëjnë të kuptosh që ky është synimi. Ata duan të fshihen pas alibisë ‘të kartave të identitetit të huaja’. Kjo është një përpjekje e qartë e asaj që ka mbetur dikur nga PD që nuk i do zgjedhjet dhe jemi në kushtet që po ndërtohet një alibi për të penguar votën e diasporës”, deklaroi ai.

/rtsh.al/