Partia Demokratike do të organizojë primaret në javën e parë te marsit, pas përmbylljes së afatit zyrtar të regjistrimit të emigrantëve, një proces i rëndësishëm që ka marrë vëmendjen kryesore të lidershipit. Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka, nuk dha shumë detaje për disa çështje të rëndësishme për garën e kandidatëve në primare, por la të kuptohet se drejtuesit politikë nuk do të jenë pjesë e garës.
Ai e argumentoi këtë me nevojën që procesi duhet të kishte në krye dikë të paanshëm dhe pa interesa direkte.
“PD duhet të ketë në çdo qark një personalitet që duhet të menaxhojë, të drejtojë, të dirigjojë fushatën dhe të angazhohet tek puna për partinë dhe jo ajo individuale për t’u zgjedhur vetë. Drejtuesit politikë janë figura të spikatura, të provuar në votëbesim disa herë. Ata kanë përballuar sfida dhe i kanë fituar ato, prandaj Këshilli Kombëtar do të gjejë një modalitet për këtë”.- u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i PD.
Ndryshe nga shumë të tjerë në parti, Flamur Noka beson se procesi, megjithëse delikat, nuk do të sjellë përçarje apo të dëmtojë angazhimin e mbështetësve të saj para zgjedhjeve. Besohet se primaret do të organizohen në nivel qarku dhe zoti Noka e përkrah këtë opsion, që qëndron mes dy opsioneve të tjera: zgjedhjeve sipas degëve dhe në nivel kombëtar.
Në intervistën për emisionin “Pa Censurë”, ai tha se primaret janë të rëndësishme për të zënë një vend të sigurt në listë, por askush nuk mund të thotë deri ditën e fundit se çfarë raporti do të kenë në listë kandidatët fitues të primareve me ata që do të propozojë kryesia e partisë për miratim.
“Primaret janë shumë të rëndësishme për listën dhe rregullorja që do t’u shpërndahet degëve i përcakton të gjithë hapat. Për shqiptarët ka rëndësi që PD t’u prijë për ta rrëzuar këtë narkoregjim dhe që PD të paraqesë një listë dinjitoze përfaqësuese, ku çdo qytetar të gjejë veten”- tha Flamur Noka për emisionin “Pa Censurë”. Ai shmangu një analizë, nëse me kalimin e kohës, PD duhet ta ndryshojë statutin dhe të heqë dorë nga primaret, një kërkesë që mbështetet nga shumica e lidershipit të rithemelimit dhe të të tjerëve, por që ka ende përkrahjen e kryetarit Sali Berisha.
/rtsh.al/