RTSH 24 Live

Politikë

Presidenca e Trump dhe lufta anti-Soros, Noka tregon ndikimin në zgjedhje

7 orë para

Presidenca e Trump dhe lufta anti-Soros, Noka tregon ndikimin në zgjedhje

Ndryshe nga PS, që, për rrethana të ndryshme, është detyruar të rifreskojë shpeshherë ekipin politik, PD duket se nuk e ka këtë prioritet. Të drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, që humbi zgjedhjet e vitit 2013, opozita do të garojë me një ekip të ngjashëm me atë të 2013-ës.

Ndryshimi më i dukshëm është aleanca me Ilir Metën, i cili, në atë kohë, braktisi Berishën për koalicion parazgjedhor me Edi Ramën. Por për Sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka, një nga njerëzit më të besuar të kryetarit Berisha, si dikur në qeveri, edhe tani në opozitë, problemi i shqiptarëve nuk është ekipi i PD, por keqqeverisja e Edi Ramës.

Për më tepër, Noka thotë se PD e drejtuar nga Sali Berisha shquhet për një tipar të rëndësishëm politik, mbajtjen e fjalës dhe zbatimin e programit.

“Sot, kur shqiptarët bëjnë krahasimin e kohës 2005-2013 dhe 2013-2025, të gjithë këndojnë këngën “o Sali o baba, kthehu se bëmë shaka”. Se njerëzit nuk kanë 33 euro për të shtyrë javën, ndërsa kryeministri pi një shishe verë 33 mijë euro.  Shqiptarët nuk vuajnë nga Sindroma e Stokholmit, që të duan atë që i vjedh dhe abuzon me to.”- tha Flamur Noka në një intervistë për emisionin “Pa Censurë”.

Por demokratët nuk i kanë vënë shpresat vetëm në këtë drejtim. Sipas numrit 2 të Partisë Demokratike, ajo që ka ndryshuar nga humbja e fundit e zgjedhjeve parlamentare të PD-së në 2021-shin është nisja e shpërbërjes së kolonës kryesore të mbështetjes ndërkombëtare për kryeministrin Rama, që, në analizën e tyre, kishte si burim kryesor filantropin miliarder, George Soros. Me të është në një luftë të hapur edhe administrata e re e presidentit Trump. 

“Sot shqiptarët nuk e kanë më mafien ndërkombëtare të George Soros për të ushtruar presion mediatik dhe politik mbi vullnetin e tyre dhe për t’i bërë, më pas, pre e bandave në qytete, të mafies shtetërore, patronazhistëve apo parave të krimit dhe korrupsionit. Sot jemi në një periudhë tjetër. Epoka post Soros është epokë e njerëzve të lirë dhe të vullneteve të lira. Sikundër amerikanët ndihen të çliruar, ashtu edhe shqiptarët do të ndihen të çliruar nga kthetrat e rilindjes”- u shpreh për RTSH Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka.

/rtsh.al/