Të enjten e datës 6 shkurt, mijëra besimtarë bektashinj dhe të besimeve të tjera, shqiptarë të diasporës, profesorë, doktorë dhe politikanë u mblodhën në teqenë e Alipostivanit në Përmet për t'i dhënë lamtumirën e fundit Baba Hekuran Nikollarit.
Për Kryegjyshin Botëror Bektashi, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, kjo ishte një humbje e madhe jo vetëm për këtë komunitet, por për të gjithë kombin shqiptar.
"Ishte një klerik i thjeshtë në dukje dhe jetesë, por shumë i përkushtuar për besimtarët, njerëzit në nevojë, bektashizmin, që jetën e tij ia dedikoi kësaj rruge të vështirë. Kryegjyshata Botërore Bektashiane dhe të gjithë besimtarët bektashinj janë në zi prej mbrëmjes së datës 3 shkurt, kur baba Hekurani kaloi nga kjo jetë. Teqeja e Alipostivanit, teqeja e Frashërit u ngritën nga rrënojat e komunizmit, nga puna e palodhur dhe me përkushtim e babait aq shumë të dashur jo vetëm në këtë trevë, por i mbarë Shqipërisë," tha Haxhi Dede baba Edmond Brahimaj.
Trashëgimia që la Baba Hekurani u vlerësua nga ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, si një thesar për Shqipërinë dhe trashëgiminë kulturore.
"Baba Hekurani ishte një humanist, një klerik i jashtëzakonshëm. Ishte bërë baba qëna bekoi të gjithëve, na vuri dorën në kokë. Ky tempull sot është një pasaportë e kulturës dhe trashëgimisë shpirtërore shqiptare," u shpreh ministrja Kumbaro.
Besimtarë të Shumtë të cilët e njohën Baba Hekuranin shprehën përjetimet e tyre për këtë ngjarje të trishtë.
Për të gjithë të pranishmit e kësaj ceremonie që folën në përcjelljen e klerikut të urtë dhe fjalë ëmbël, vepra e tij do të mbetet e përjetshme.
"Ai nuk ishte vetëm një udhëheqës shpirtëror, por një njeri i urtë, i mençur, i cili u bë pikë referimi për të gjithë duke frymëzuar harmoni, paqe dhe humanizëm. Me përkushtimin e tij të palodhur ai ndërtoi teqenë e Alipostivanit, duke e kthyer atë në një qendër shpirtërore dhe vatër dashurie për komunitetin," tha Alma Hoxha, kryetarja e bashkisë së Përmetit.
Baba Hekuran Nikollari la amanetin që të prehej në vendin ku ai shërbeu me vite, në oborrin e teqesë së Alipostivanit në Përmet.
Ai do të mbetet në kujtesën tonë kombëtare si një klerik i palodhur, i devotshëm ndaj Zotit, i cili zgjodhi t'i shërbente sa më mirë komunitetit dhe vendit të tij.
Gazetar: Norel Zaimi
/rtsh.al/