Në Parkun Arkeologjik të Antigonesë kanë nisur përgatitjet për sezonin e ri turistik.
Drejtori i parkut, Shkëlqim Guçe, thotë se po punohet për mirëmbajtjen e monumenteve, largimin e bimësisë, hapjen e rrugëve dhe shoqërimin e tyre me tabela informuese për të mirëpritur vizitorë nga e gjithë bota.
"Puna jonë bazë e përditshme është mirëmbajtja e monumenteve. Ne po përgatitim edhe një fletëpalosje të re, që do të bëjë promovimin e Antigonesë, të Adrianopolit dhe të gjithë luginës së Drinos në përgjithësi," shpjegon z. Guçe.
Me punët që po kryhen jo vetëm tek parku, por dhe në manastire, pritshmëritë për sezonin e ri turistik janë të larta.
Z. Guçe thekson se parku i Antigonesë ka startuar për të pritur çdo ditë turistë.
"Jemi duke përgatitur një plan të mirëfilltë për promovimin e këtyre vlerave, jo vetëm të Antigonesë, por edhe të zonës, siç janë ekspozitat fotografike. Parku arkeologjik ka startuar në mënyrë sistematike për të pritur e për të përcjellë vizitorë të të gjitha niveleve e interesave," thotë drejtori Guçe.
Antigoneja është një nga qytetet antike më të mëdha të territorit të Shqipërisë dhe vendbanimi më i rëndësishëm antik i Luginës së Drinosit.
Gazetare: L. Fili
/rtsh.al/